Disavantazhi për vizat

Prishtinë | 28 Maj 2019 | 08:03 | Nga Ekonomia Online

Ekspertët e integrimit evropian vlerësojnë se rezultati zgjedhor i së dielës, ku në Francë fitoi partia e Marine Le Pen, e cila udhëheq një parti të ekstremit të djathtë, paraqet një disavantazh për Kosovën sa i përket rrugëtimit të liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian, shkruan gazeta “Zëri”.

Zgjedhjet e mbajtura për Parlament Evropian (PE) në 28 shtetet anëtare të BE-së rezultuan me humbje të shumicës së koalicionit të partive të qendrës së djathtë (Partia Popullore Evropiane – EPP) dhe partive të qendrës së majtë (Aleanca e Socialistëve dhe Demokratëve – S & D), derisa partitë e gjelbra, ato të ekstremit të djathtë dhe liberalët shënuan rritje. Rrjedhimisht, sipas rezultateve të publikuara të dielën, bëhet e ditur që EEP dhe S & D për të parën herë pas 40 vjetësh nuk do ta kenë më shumicën e deputetëve në Parlamentin Evropian, i cili përbën pjesën ligjvënëse të BE-së.

Megjithëkëtë, pavarësisht rënies që “koalicioni i madh” shënoi duke e krahasuar me vitin 2014, proevropianët do të vazhdojnë të jenë forca e parë në PE.

Por zhvillimet dhe ndryshimet politike që këto rezultate pritet t’i sjellin brenda BE-së, sipas ekspertëve të procesit të integrimit, mund të shkaktojnë ngadalësim të rrugëtimit integrues të Ballkanit Perëndimor. Së këndejmi asnjë prej vendeve të këtij regjioni sipas tyre nuk do të mundë të pretendojë të jetë anëtar i BE-së brenda pesë vjetëve të ardhshme. Pos kësaj, rezultatet e dala nga zgjedhjet për PE pritet të kenë ndikim edhe në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Fitorja e ekstremit të djathtë në Francë, sipas ekspertëve, paraqet një disavantazh në vendimmarrjen të cilën ky shtet duhet ta luajë në raport me vizat për Kosovën.

Të ngjashme