Diskutohet promovimi i komunave te investitorët e jashtëm

Prishtinë | 29 Nën 2016 | 14:42 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

MPJ dhe komunat gati për bashkëpunim në kuadër të diplomacisë ekonomike

Në kuadër të zhvillimit të diplomacisë ekonomike, Ministria e Punëve të Jashtme ka organizuar konferencën me temën “Takimi me komunat për promovimin e tyre  përmes diplomacisë”.

Në takimin, ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme dhe komunave të Kosovës, është diskutuar rreth arritjeve të deritashme në marrëdhëniet e jashtme të komunave, përfitimi i tyre nga diplomacia dhe mundësitë e reja të promovimit përmes diplomacisë ekonomike.

Drejtori i Departamentit për Diplomaci Ekonomike në MPJ, Guner Ureya, ka bërë një paraqitje të të dhënave sa i përket aspekteve ekonomike të vendit, si dhe ka folur për rolin e MPJ-së në fushën e diplomacisë ekonomike.

“Kosova, me 38 komunat e saj mund të përfitojë më shumë nga angazhimet e autoriteteve lokale sidomos në bashkëpunimin ndërkufitar. Me kapacitetet ekzistuese dhe me vullnetin politik komunat si akterë konstruktivë mund të angazhohen më shumë në promovimin e komunave të tyre, natyrisht duke kontribuar edhe në promovimin e Kosovës”, ka vlerësuar Ureya.

Për këtë arsye, ai ka thënë se duhet inkurajuar binjakëzimet dhe bashkëpunimet përmbajtjesore të komunave të vendit tonë, me komunat e shteteve të tjera, si dhe  pjesëmarrjen, por edhe anëtarësimin e komunave në organizatat ndërkombëtare të pushteteve lokale.

Ndërsa drejtori i Departamentit për Çështje Rajonale në MPJ, Fitim Gllareva, duke folur për rëndësinë e këtij takimi ka thënë se “MPJ, në vazhdën e koordinimit të aktiviteteve me jashtë, ka organizuar këtë takim për të marrë informata rreth nevojave dhe shqetësimeve të komunave sa i përket bashkëpunimit në fushën e promovimit të mundësive për investime të jashtme”.

Nga ana tjetër, udhëheqësja e Divizionit për avancim të buxheteve nëpër komuna në MAPL, Fetije Begolli, ka vlerësuar se komunat kanë nevojë për zhvillim ekonomik, derisa ka folur edhe për aktivitetet e kësaj Ministrie, e cila gjatë vitit 2016 ka mbështetur katër komuna me hartimin e planeve për zhvillim ekonomik lokal.

“Duke pasur parasysh këtë gjendje Ministria Administrimit të Pushtetit Lokal në vitin 2016 ka mbështetur katër komuna në hartimin e strategjive të tyre për zhvillim ekonomik lokal në bashkëpunim me USAID-in, dhe në vazhdim ka në plan që në vitin 2017, të mbështes edhe katër komunat e tjera dhe kështu me radhë do t’i ndihmojë edhe komunat e tjera të cilat kanë nevojë në hartimin e strategjive të tyre për zhvillim ekonomik lokal gjithmonë në frymën e strategjisë për vetëqeverisje lokale”, ka theksuar ajo.

Kurse drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Besian Mustafa, ka njoftuar për aktivitetet e kësaj agjencie, ndërkohë ka theksuar nevojën për bashkëpunim edhe më të ngushtë ndërinstitucional.

Ai theksoi se së bashku me UNDP-në janë duke përgatitur 15 projekte investive konkrete në Kosovë.“Kjo do të bëhet në bashkëpunim me komunat ku ato projekte investive identifikohen dhe qëllimi nuk është vetëm t’i kemi 15 projekte për t’i prezantuar para investitorëve potencialë, por edhe që t’i kemi si mostër, që pastaj çdo institucion të paraqes ose të përgatitur një investim, ose një raport për një investim konkret, i cili mund të paraqitet tek investitorët jo vetëm nga KIESA”, ka thënë ai.

Të ngjashme