Me rastin e Ditës ndërkombëtare për internet më të sigurt, UBT, Komuniteti për Siguri kibernetike dhe DARDS, organizojnë konferencën më titull “Safe Internet Day- Kosova”, që do të mbahet të martën, më 7 shkurt, në ambientet e kampusit të UBT-së, në Prizren, duke filluar nga ora 10:30.
Konferenca “Safe Internet Day Kosovo”, është mbështetur edhe nga FindBUG, FIT, OJQ Arta dhe 2M.
Gjatë konferencës do të trajtohen tema që kanë të bëjnë me shfrytëzimin e sigurt të internetit dhe rrjeteve sociale, roli i ARKEP-it në ofrimin e sigurisë në internet, rëndësia e ndërgjegjësimit në parandalimin e humbjes së të dhënave, ndikimi i internetit tek fëmijët, sfidat e sigurisë në ueb, fuqizimi i gruas dhe interneti, roli i ISP-ve, ISO standardet dhe rëndësia e tyre për shfrytëzimin e sigurt të internetit, vendosja e të dhënave në hapësirë kibernetike etj., ndërkaq temat në fjalë do të prezantohen nga Mentor Hoxhaj nga CSP, Tanzer Abazi nga DARDS, përfaqësues të ARKEP-it, Teuta Zymeri nga FIT, Besart Abazi nga FindBUG, Arta Qyqalla nga OJQ “Arta”, Lek Zogaj nga 2M PECB, studentë të UBT-së etj.
Sipas organizatorëve, kjo ditë ofron mundësinë për të nxjerrë në pah përdorimin pozitiv të teknologjisë, si dhe për të shqyrtuar rolin tonë në krijimin e një komuniteti sa më të mirë dhe më të sigurt në internet, me ç’rast pjesë e kësaj nisme do të jenë ekspertë të fushës, kompanitë e ndryshme, politikëbërësit, organet e zbatimit të ligjit, punëtorët socialë, të rinjtë, prindërit, kujdestarët, mësuesit etj., të cilët do të veprojnë nën sloganin “Bëhu ndryshimi: Bashkohu për një internet të sigurt”.
Dita ndërkombëtare për internet më të sigurt shënohet çdo vit në mbarë botën, me qëllim të nxitjes së përdorimit të sigurt dhe pozitiv të teknologjisë digjitale nga fëmijët dhe të rinjtë, teksa kësaj fushate i janë bashkuar mijëra organizata për ngritjen e vetëdijes qytetare.