Djali i Carlo Ancelottit përfundon në listën e trajnerëve të Realit për të zëvendësuar italianin

Prishtinë | 26 Dhj 2022 | 17:05 | Nga Ekonomia Online

Real Madrid tashmë ka nisur të mendojë për pasardhësin e Carlo Ancelottit.

Trajneri italian ka thënë se do të largohet në fund të periudhës së tij të dytë me “Los Blancos”, me kontratën e tij që i skadon në verën e vitit 2024.

Dhe, krerët e klubit spanjoll raportohet se tashmë po përpilojnë një listë me emrat e trajnerëve potencial për të zëvendësuar 63-vjeçarin.

Sipas “Relevo” në listë është edhe djali i Carlos, Davide Ancelotti, i cili aktualisht është ndihmës-trajner te kampionët e Spanjës.

Ai ka punuar me prindin e tij në dekadën e fundit, duke zënë role të ndryshme në Paris Saint-Germain, Real Madrid, Bayern Munich, Napoli dhe Everton.

Davide është përgjegjës për disa detyra aktualisht, duke marrë përgjegjësinë e grupeve dhe i përfshirë shumë në planet taktike. Më parë ai ka thënë se detyra e tij është të sfidojë idetë e babait të tij.

I pëlqyer në dhomën e zhveshjes dhe i aftë të flasë gjermanisht, italisht, frëngjisht, spanjisht dhe anglisht, 33-vjeçari shihet si më se i përgatituri për të marrë drejtimin e Real Madridit.

Julian Nagelsmann e Thomas Tuchel mendohet të jenë gjithashtu në listën e Real Madridit, bashkë me legjendën e këtij klubi, Raul Gonzalez.

Të ngjashme