DnV evidenton 3 060 raste votime familjare, i bën thirrje prokurorisë t’i hetojë

Prishtinë | 22 Tet 2017 | 18:25 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Demokracia në Veprim (DnV)  ka raportuar për parregullsitë që kanë hasur vëzhguesit e saj në terren, raporton Ekonomia Online.

Ndër parregullsitë më të mëdha që e kanë përcjellë procesin zgjedhor të dielën janë janë tentimet për votim të shumëfishtë dhe votimet familjare, për çka janë evidentuar 3 060 raste deri më tani.

Krahas parregullsive të raportuara edhe më herët, DnV tha se mospërputhja e numrit të fletëvotimeve për kryetar të komunave dhe fletëvotimeve për kandidatë të komune, mungesa e vulave etj., janë parregullsi “të reja”.

“Tentimet për të votuar më shumë se një herë (votimi i dyfishtë) me gjithsej 86 raste, në 14 vendvotime. Prijnë komunat: Peja (36), Lipjani (30), Prizreni (9). Votimi familjar është raportuar në 3060 raste në nivel të Kosovës. Komunat që prijnë me votime familjare janë: Gjakova (770), Lipjani (446) dhe Peja (296). Prej hapjes së vendvotimeve, vështirësi të votuesve për t’a gjetur emrin në listë janë 511 raste. Komunat që prijnë janë Mitrovica 145 dhe Prishtina 144”, tha Mjellma Haxhia-Hapçiu, nga kjo organizatë.

“Një rast më eklatant i asistimit më shumë se një herë është evidentuar në qendrën e votimit 2101B në vendvotimin 05D në shkollën Anton Çetta në komunën e Skenderajt. Banorët e shtëpisë së pleqve janë asistuar nga i njëjti person për të votuar dhe një gjë e tillë nuk është ndaluar. Në qendrën e votimit 2037 A në vendvotimin 01R, në shkollën Svjetlost në komunën e Prizrenit një person ka votuar në emër të dy vajzave të tij me aftësi të kufizuar fizike. Është raportuar për ndërprerje të procesit të votimit dhe kjo si shkak i diskrepancës midis numrit të fletëvotimeve për kryetar komune dhe atij për kuvend komunal. Pas këtyre rasteve kanë pasuar arrestime të kryesuesve të vendvotimeve”.

Albert Krasniqi iu bëri thirrje organeve të drejtësisë që të trajtojnë rasteve e raportuara në mënyrë që të mos dëmtohet procesi zgjedhor.

“Deri më tani kemi nisur mëngjesin me mungesë vulash pastaj në mesditë kemi pas rrahjen e komisionerëve dhe thyerjen e kutive.Thërrasim qytetarët që ende nuk kanë votuar, t’i shfrytëzojnë orët e mbetura për të shprehur vullnetin e tyre me votë. Kërkojmë nga komisionerët vigjilencë të shtuar deri në përmbyllje të procesit të numërimit, e posaçërisht në procesin e numërimit. Kërkojmë nga subjektet politike të përmbahen nga festat e parakohshme deri në shpalljen zyrtare të rezultateve”, tha ai.

DnV  bëri të ditur se të drejtën për të votuar, deri në orën 16, e kanë shfrytëzuar 32.68 % e qytetarëve me të drejtë vote.

 

 

Të ngjashme