Dogana e Kosovës ndalon pajisje të dyshuar për përdorim ushtarak

Prishtinë | 20 Gus 2026 | 12:22 | Nga Ekonomia Online

Zyrtarët doganorë, gjatë kontrolleve të automjeteve në hyrje në pikë kalimin kufitar Kullë, kanë ndaluar për kontroll një automjet me targa të huaja, të drejtuar nga një shtetas i Republikës së Kosovës.

Gjatë intervistimit, udhëtari është pyetur nëse kishte mallra apo mjete që duhej të deklaroheshin. Ai nuk ka deklaruar ndonjë mall. Megjithatë, bazuar në dyshimet e krijuara gjatë kontrollit, zyrtarët doganorë kanë kryer kontroll të detajuar të automjetit.

Gjatë kontrollit është gjetur një dylbi e destinuar për përdorim me pushkë snajper, për të cilën nuk janë paraqitur dokumentet apo autorizimet përkatëse.

Malli është ndaluar nga Dogana, ndërsa ndaj personit janë ndërmarrë masat përkatëse dhe është iniciuar procedura kundërvajtëse dhe procedura të tjera administrative, në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Sipas Kodit Nr. 08/L-247 Doganor dhe të Akcizave, mallrat që hyjnë në territorin doganor të Republikës së Kosovës i nënshtrohen mbikëqyrjes dhe kontrolleve doganore dhe, kur është e zbatueshme, edhe ndalesave dhe kufizimeve që lidhen, ndër të tjera, me sigurinë publike.

Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në kontrollin e kufijve dhe në parandalimin e hyrjes së mallrave të rrezikshme, të kufizuara apo të palejuara, duke garantuar zbatimin e legjislacionit dhe mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve.

Të ngjashme