Dogana e Kosovës ka parandaluar një rast të tentativës për kontrabandim të mallit në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë, gjatë kontrolleve rutinore të automjeteve në hyrje të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimi gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare, një zyrtar doganor ka selektuar për kontroll të detajuar një automjet me targa të huaja. Gjatë kontrollit fizik të bagazhit të automjetit është konstatuar se në të ndodheshin mallra të padeklaruara pranë autoriteteve doganore.
Sipas vlerësimit paraprak të Sektorit të Vlerësimit Doganor, vlera e mallit të padeklaruar është rreth 8,000 euro.
Falë vigjilencës dhe profesionalizmit të zyrtarëve doganorë, është parandaluar futja e paligjshme e mallrave në territorin doganor të Republikës së Kosovës. Veprime të tilla cenojnë konkurrencën e ndershme, dëmtojnë ekonominë vendore dhe shmangin detyrimet fiskale të përcaktuara me legjislacionin në fuqi.
Meqenëse shtetasi i huaj nuk e kishte deklaruar mallin në hyrje të territorit doganor të Republikës së Kosovës, ndaj tij është iniciuar procedurë kundërvajtëse në përputhje me Kodin Doganor dhe të Akcizave, Ligji Nr. 08/L-247, konkretisht nenin 244, i cili përcakton kundërvajtjet doganore për mosdeklarimin ose deklarimin e pasaktë të mallrave.
Dogana e Kosovës rikujton se, në përputhje me Ligjin Nr. 08/L-247 – Kodi Doganor dhe i Akcizave, çdo mall që hyn ose del nga territori doganor i Republikës së Kosovës duhet të deklarohet pranë autoriteteve doganore. Deklarimi i saktë i mallrave është detyrim ligjor dhe shmang pasojat administrative, kundërvajtëse apo penale që mund të rrjedhin nga mosrespektimi i dispozitave ligjore.
Dogana e Kosovës do të vazhdojë të zbatojë me vendosmëri legjislacionin doganor, duke ndërmarrë masa efektive kundër kontrabandës dhe çdo forme të shmangies së detyrimeve doganore, me qëllim mbrojtjen e ekonomisë së vendit dhe sigurimin e një tregtie të drejtë dhe transparente.