Dokumenti që dëshmon se Gjuriqit nuk iu dha leje të vizitojë Kosovën

Prishtinë | 27 Mar 2018 | 18:09 | Nga

Autoritetet kosovare nuk i dhanë leje shefit të zyrës serbe për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq që të vijë në Kosovë, por ai e shpërfilli këtë, dhe përfundoi i arrestuar nga Policia e Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq akuzoi sot Kosovën, duke thënë se Gjuriq kishte njoftuar Prishtinën zyrtare dhe se nga praktika, nuk kishte nevojë për leje.

Por, në një dokument të siguruar nga Gazeta Metro, e vërteta del të jetë ndryshe. Aty shihet se Gjuriq kishte kërkuar leje për hyrje në Kosovë, dhe kjo kërkesë i ishte refuzuar.

Në këtë dokument shihet se MPJ e Kosovës i kthen përgjigje negative Marko Gjuriq’it për vizitën në Kosovë.

“Për fat të keq ne nuk i përgjigjemi pozitivisht, këtij njoftimi për vizitë”, thuhet në emailin e dërguar.

Presidenti Vuçiq ka thënë se Gjuriq nuk ka nevojë për leje të vizitojë Kosovën, por vetëm për informim.

“Ajo është bërë si gjithmonë në pajtim me ligjin”, ka shtuar presidenti serb.

Ai gjithashtu ka thënë se autoritetet kosovare kanë qenë të njoftuar edhe për vizitën e dy personave tjerë.

“Këtu nuk kërkohet leje, por vetëm të i njoftojmë. Nëse unë shkoj duhet të i njoftoj 72 orë më herët, a nëse shkon Gjuriq 24 orë më herë, sepse bie në kategorinë e tretë sipas marrëveshjes”, ka thënë Vuçiq.

Ndërkohë, arrestimi i Gjuriq ka bërë që Qeveria e Serbisë të vendos tërheqjen e Listës Serbe nga Qeveria e Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme