U është dhënë mandat që të dorëhiqen. Në të kundërtën, deri të premten e kësaj jave, nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, të gjithë udhëheqësit e klinikave dhe spitaleve që janë të akuzuar në rastin “Stentat”, do të shkarkohen
E premtja e kësaj jave është dita e fundit kur drejtori i Klinikës së Kardiologjisë, Gani Bajraktari, drejtori i Spitalit të Gjilanit, Besim Guda, si dhe drejtori i Spitalit të Mitrovicës, Mirdi Strana, duhet të japin dorëheqje.
Në të kundërtën, në mbledhjen e Bordit të Shërbimit Klinik Spitalor Universitar të Kosovës është vendosur që ata të shkarkohen nga pozitat që udhëheqin. Po ashtu, ky fat i pret edhe gjashtë shefa të njësive të ndryshme udhëheqëse në kuadër të SHSKUK-së.
Gjithë kjo po ndodh pas aktakuzës që ndaj një numri të madh të zyrtarëve shëndetësorë është ngritur në rastin e njohur tashmë si “Stenta”, ku mesin e të akuzuarve janë edhe këta udhëheqës të institucioneve shëndetësore.