Drejtori QKMF-së në Deçan: Dita e parë na ka gjetur thuajse pa barna

Prishtinë | 15 Kor 2021 | 08:34 | Nga Ekonomia Online

Që nga data 11 korrik kur edhe janë shfaqur rastet e para të dyshuara për helmim në Deçan është vërejtur një fluks i madh i qytetarëve të cilët kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Deri më tani është raportuar se mbi 1 mijë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore si rezultat i simptomave të dyshuara për helmim.

Drejtori i QKMF-së në Deçan Musa Berisha, tha në Sytë 7 në Klan Kosova se në ditën e parë kjo situatë si institucion i ka gjetur thuajse në sasinë zero të barnave esenciale.

“Ditën e para të gjitha medikamentet që kanë qenë të nevojshme për trajtim të pacientëve, pacientët është dashur që ti blejnë në barnatoret e qytetit. Ndërsa ditën e dytë e kam fjalën për ditën e martë pas sensibilizimit të gjendjes, njerëzit bamirës dhe donatorët erdhën dhe na e mbuluan këtë vakum deri në ditën e mërkurë”.

“Në ditën e mërkurë ishin të gjitha strukturat relevante dhe ministri i Shëndetësisë na premtoi se do të na furnizojë me barnat nga lista që do ta përpilojmë. Ne e përpiluam një listë urgjente për nevojat që ne kishim. Dhe menjëherë në mbrëmje diku kah ora 22:00 jemi furnizuar me kontingjentin e parë”.

Berisha theksoi se gjatë ditës së djeshme ka pasur rënie të fluksit.

Gjatë 24 orëve 252 pacientë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Ai shtoi se simptomat që vërehen më së shumti tek pacientët janë  lodhje, dhimbje koke, dhimbje barku, ka jashtëqitje.

Të ngjashme