Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka pritur në takim përfaqësuesit e UNDP-së në Kosovë, me të cilët ka biseduar për fillimin e bashkëpunimit dhe hartimit të Planit të Integritetit.
Kryetari Lladrovci ka falënderuar përfaqësuesit e UNDP-së për gatishmërinë e bashkëpunimit me Komunën e Drenasit dhe dhënien e këshillave për mbështetjen në trajnimin e burimeve njerëzore.
Lladrovci ne kuadër të këtij bashkëpunimi, ka kërkuar këshillime dhe praktika të mira në fushën e sundimit të Ligjit, përkatësisht këshilltar ligjor, sepse Komuna e Drenasit ka vështirësi me disa prona të uzurpuara, ndërtimet në zonat e ndaluara dhe në zonat e komosacionit.
“Kërkojë mbështetjen e juaj ne fushën e sundimit të ligjit, pasi që plani im qeverisës është i pakompromis në luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit”, ka thënë kryetari Lladrovci.
Përfaqësuesit e UNDP-së, kanë falënderuar kryetarin, dhe kanë shprehur gatishmërinë e përkrahjes për Komunën e Drenasit ne burimet njerëzore dhe avancimin e organizimit dhe riorganizimit të stafit komunal, por para kësaj, është kërkuar që përmes një grupi punues të përfaqësuar nga Komuna dhe UNDP-ja të behët Plani i Integritetit për të vazhduar pastaj me zbatimin e masave që dalin nga ky dokument.