Dushi reagon ndaj pushtetit qendror: Prishtina nuk ua fsheh dështimet

Prishtinë | 15 Sht 2026 | 16:52 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Florian Dushi, ka reaguar ashpër ndaj kritikave dhe akuzave të drejtuara nga niveli qendror, duke e cilësuar kryeqytetin si një “betejë të madhe të humbur elektorale” për kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje

Përmes një postimi, Dushi u shpreh se pushteti qendror po provon ta përdorë Prishtinën si mekanizëm për të devijuar vëmendjen nga problemet me të cilat po përballet vendi.

“Sot, përveç kësaj dhimbjeje politike, po përpiqen ta përdorin Kryeqytetin edhe si mjet për ta zhvendosur vëmendjen e qytetarëve nga gama e madhe e dështimeve të tyre në nivelin qendror,” deklaroi Dushi.

Sipas nënkryetarit të Prishtinës, sulmet ndaj udhëheqjes lokalisht janë një tentativë për të shmangur debatin mbi gjendjen e përgjithshme në Kosovë.

“Me akuza, shpifje e trillime të vazhdueshme ndaj Kryetarit Rama dhe Kryeqytetit, po provojnë ta mbajnë Prishtinën në qendër të debatit, vetëm që qytetarët të mos flasin për krizën e përgjithshme e të shumëfishtë që qeverisja e dështuar e nivelit qendror po ia shkakton gjithë Kosovës,” shtoi ai.

Duke folur për kompetencat dhe përgjegjësitë institucionale, Dushi nënvizoi se çdo nivel i pushtetit mban përgjegjësinë për punët e veta.

“Sikur që pushtetet në Kosovë janë të ndara, e ndarë është edhe përgjegjësia. Prandaj, më kot shkarravisin statuse në profilet e tyre e dalin rrugëve të Prishtinës për ta thirrur emrin e ‘fajtorit’ në Kryeqytet.”

Në përmbyllje të reagimit të tij, nënkryetari Dushi theksoi se reagimet publike nuk mund ta mbulojnë mospunën e nivelit qendror.

“Zhurma kundër Prishtinës nuk i mbulon dështimet e Qeverisë. Qytetari nuk do ta falë mospunën, papërgjegjësinë e as dështimin e një Qeverie që rri në detyrë, por nuk i përmbush detyrat e saj,” shtoi ai.

Të ngjashme