Dy dëshmitarë mohojnë fajësinë e Xhavit Bicajt

Prishtinë | 28 Shk 2017 | 08:22 | Nga

Në favor të ish-profesorit të Fakultetit të Mjekësisë, Xhavit Bicaj, në gjykatë janë deklaruar dy ish-kolegë të tij.
Asistentja e dikurshme, Emine Disha, dhe ish-kryetari i Komisionit për përzgjedhjen e kandidatëve për pozitën e drejtorëve të njësive përkatëse në QKUK, Hilmi Dauti, kanë thënë se nuk kanë njohuri nëse Bicaj ua kishte dërguar paraprakisht testin disa kandidatëve në garën për drejtor të klinikave në vitin 2014.

Në bazë të aktakuzës, Bicaj kishte favorizuar dy kandidatët për drejtor të Onkologjisë, Sonja Blakaj dhe Ramë Miftari, duke iu dërguar me postë elektronike 29 pyetje me përgjigje të sakta të intervistimit me shkrim. Këtë veprim, i akuzuari sipas prokurorisë e ka bërë me qëllim që dy kandidatët të dalin më të suksesshmit në garë, ku gjithsej ishin 30 kandidatë.

Në seancën e mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore të Prishtinës, dëshmitari Dauti ka thënë se gjatë garës në vitin 2014 askush nuk ishte ankuar për asgjë. Madje, sipas tij, aktakuza ndaj profesor Bicajt është fyerje ndaj tij dhe institucionit që ka punuar.

Dëshmitari ka thënë se pas intervistimit të kandidatëve, të nesërmen ishte njoftuar nga mediet se testet me pyetjet dhe përgjigjet kishin dalë paraprakisht. (Koha Ditore)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme