Policia e Tiranës ka finalizuar mbrëmë në mesnatë një operacion të gjerë kundër trafikimit dhe shpërndarjes së drogave të forta. Në pranga në kohë të ndryshme janë vënë 16 anëtarë të një grupi kriminal, që shiste kokainë në disa zona të kryeqytetit.
Të arrestuarit e operacionit të koduar “Tangent” janë shtetas nga disa qytete të Shqipërisë, por edhe nga Kosova.
Ndër ta ka edhe të dënuar më herët për vepra të rënda penale, njoftojnë medie shqiptare.
Sipas një njoftimi për shtyp, në pranga në kuadër të këtij operacioni janë proceduar penalisht 7 shtetas:
Gjergji Cukali, 37 vjeç, nga Tirana, i dënuar më parë për pengmarrje dhe armëmbajtje pa leje;
Artur Tarja, 36 vjeç, nga Tirana, i dënuar më parë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor;
Muharrem Kallushi,32 vjeç ,nga Tirana;
Vjollca Gjoka, 46 vjeçe, nga Tirana;
Gentian Balliu, 30 vjeç, lindur në Kurbin e banues në Tiranë;
Armand Gjoka, 50 vjeç, nga Tirana;
Krisald Kundraxhi, 29 vjeç, nga Tirana, i dënuar më parë për veprën penale të prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Ndërkohë, në kohë të ndryshme më herët janë arrestuar edhe 9 shtetas, të identifikuar me inicialet:
J. K., 26 vjeç, nga Tirana;
A. M., 37 vjeç, nga Prishtina;
J. B., 33 vjeçe, nga Prishtina;
H. T., 45 vjeç, nga Kavaja;
A. T., 27 vjeç, nga Kavaja;
J. H., 26 vjeç, nga Durrësi;
A. S., 26 vjeç, nga Korça;
G. Ç., 25 vjeç, nga Korça;
M. J., 33 vjeç, nga Tirana.
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pas një hetimi disa mujor nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin anëtarët e grupit dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike kokainë në zona të ndryshme të Tiranës si “Myslym Shyri”, ish-Blloku, sheshi “Willson”, në rrugën “Ali Demi”, në zonën e Porcelanit dhe në rrugën e Elbasanit.
Përmes veprimeve proceduariale dhe duke përdorur metoda speciale, Policia e Tiranës ka dokumentuar aktivitetin kriminal të këtij grupi.
Hetimet kanë provuar se shtetasit e arrestuar e siguronin lëndën narkotike përmes Gjergji Cukalit dhe më pas e shpërndanin, sipas porosive të marra nga klientët.
Provat materiale te sekuestruara janë:
282.1 gram lëndë e dyshuar narkotike kokainë;
25 telefona celularë;
5 automjete të markave te ndryshme;
15 çelësa automjetesh, të cilat dyshohen se janë mjete të lëna si garanci për dhënien e shumave të ndryshme të parave.
Të ardhurat mujore nga shitja e kokainës llogariten rreth 50 mijë euro në muaj. Sektori për Krimin e Organizuar po heton edhe pasuritë e vëna nga aktiviteti kriminal i anëtarëve të grupit.
Për shtetasin Gjergji Cukali është ngritur edhe akuza e “falsifikimit të dokumenteve”, pasi iu gjetën dhe iu sekuestruan një kartë identifikimi, patentë dhe pasaportë biometrike të falsifikuara.
Materialet procedurale do t’i dërgohen pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “prodhim dhe shitje të narkotikëve e kryer në bashkëpunim”, të parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal.