Dy turistë ukrainas shpëtohen në Ksamil, varka e tyre po fundosej nga moti i keq

Prishtinë | 20 Qer 2026 | 17:13 | Nga Ekonomia Online

Dy turistë ukrainas janë shpëtuar nga mbytja në det nga shërbimet e Policisë Kufitare në Ksamil, pasi skafi me të cilin po lundronin u përfshi nga kushtet e rënduara atmosferike.

Ngjarja, siç thotë Policia e Shtetit, ka ndodhur gjatë patrullimit të efektivëve të Njësisë Speciale Delta, të angazhuar në mbështetje të Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë.

 Gjatë kontrollit në zonën e Ksamilit, ata konstatuan një skaf të marrë me qira nga turistët, i cili po fundosej si pasojë e erërave të forta dhe motit të keq, transmeton Klankosova.tv.

Në bord ndodheshin dy shtetas ukrainas, të cilëve iu rrezikua jeta nga situata e krijuar në det.

“Menjëherë, efektivët e Njësisë Speciale Delta ndërhynë duke bërë të mundur shpëtimin e dy turistëve, të cilët fatmirësisht janë në gjendje të mirë shëndetësore.Aktualisht po punohet për nxjerrjen e mjetit lundrues në breg.Policia Kufitare mbetet e angazhuar maksimalisht për garantimin e sigurisë së jetës së qytetarëve dhe turistëve në hapësirat detare të vendit”,  thotë policia shqiptare.

Të ngjashme