Dyshimet për fatura të rreme – Prokuroria italiane nis hetimet ndaj Igli Tares

Prishtinë | 06 Qer 2023 | 14:48 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria italiane ka nisur hetime të reja rreth faturave të rreme e fitimeve fiktive nga klubet italiane ku në mesin e të dyshuarve është edhe legjenda shqiptare, Igli Tare.

Sipas raportimeve nga sajti italian “Calciomercato”, Prokuroria e Tivolit ka filluar hetimet ndaj presidentit të Salernitanas, drejtuesve të tjerë të klubit dhe ish-drejtorit sportiv të Lazios, Igli Tares.

Sipas raportimit nga Fatto Quotidiano, Prokuroria italiane është duke hetuar shtatë menaxherë për fatura të rreme dhe fitime kapitale fiktive për fakte që datojnë nga merkatot e tregut të 2017, 2018 e deri më sot.

Si raste që janë duke u hetuar është transferimi i futbollistit Mattia Sprocati, i cili ishte blerë nga Salernitana në vitin 2017 për 110 mijë euro dhe më pas ishte shitur te Lazio për 3,233,498 milionë vitin e ardhshëm (por u transferua në Parma), e cila, siç u komunikua nga Salernitana, “kontribuoi ndjeshëm në gjenerimin e fitimit në pasqyrat financiare”.

Përveç transferimit të Sprocatit, janë duke u hetuar edhe transferime tjera mes ekipeve të Salernitanas dhe Lazios.

Casasola ishte marrë nga akademia për 100 mijë euro dhe rishitur në Lazio për 3 milionë.

Më në fund është futbollisti Akpa Akpro për të cilin ishin paguar 13.4 milionë euro edhe pse vlerësimi i tij në treg ishte 600 mijë euro.

Igli Tare njihet si njëri prej sportistëve më të suksesshëm shqiptar. Ai ishte emëruar drejtor sportiv te skuadra e Lazios në vitin 2008, ndërsa ka njoftuar dorëheqjen para disa javëve.

Tare po shihet si zëvendësim i duhur i legjendës Paolo Maldini te skuadra e Milanit që u përjashtua mbrëmë nga pozita e tij.

Lidhur me faturat për fitimi fiktive, skuadra e Juventusit është dënuar para disa javësh nga Federata Italiane e Futbollit. Ndaj juventinëve janë duke vazhduar akoma hetimet, teksa thuhet se e presin dënime të reja.

Të ngjashme