Dyshohet se vodhi mjete pune në garazhin e një shtëpie, arrestohet i riu në Lipjan

Prishtinë | 28 Pri 2023 | 08:09 | Nga Ekonomia Online

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, biznese e institucione financiare që po shkaktojnë humbje e pasiguri. Hajnat në të shumtën e rasteve arrijnë që të ikin nga duart e organeve të rendit, por ka të atillë që kapen pas veprimeve hetimore të Policisë.

Kështu ka ndodhur në Lipjan, pasi një person dyshohet se kreu vjedhje në një shtëpi në fshatin Vershevc.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 22-vjeçari është identifikuar pas më shumë se dy javësh në arrati dhe i njëjti është arrestuar gjatë ditës së djeshme.

Mësohet se ai dyshohet se ka vjedhur disa mjete pune në garazhin e shtëpisë dhe të njëjtat më pas i ka shitur te një person i tretë, i cili po ashtu ka dhënë dëshminë e tij në stacion policor.

I dyshuari fillimisht ka pranuar se ka kryer veprën për të cilën dyshohet, por më pas ka ndryshuar deklaratën e tij dhe ka mohuar të ketë vjedhur diçka. Në anën tjetër, personi që bleu mjetet e vjedhura, thotë se ato ia shiti i dyshuari.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 22-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje e rëndë’.

Mjetet e vjedhura janë sekuestruar, ndërsa ndaj personit që i bleu ato është iniciuar rasti ‘Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale’.

Të ngjashme