Edhe katër raste pozitive me Coronavirus, konfirmon ministri Vitia

Prishtinë | 15 Mar 2020 | 19:11 | Nga Ekonomia Online

Katër raste të reja janë konfirmuar sot me Coronavirus në Kosovë, duke e çuar numrin e të prekurve në nëntë.

Këtë e ka konfirmuar ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një postim në faqen e tij në Facebook.

Vitia tutje ka treguar se ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti shpalljen e emergjencës për shëndetin publik.

POSTIMI I PLOTË:

Para pak minutash bazuar në rezultatet e testimeve u konfirmuan edhe katër raste reja pozitive me virusin SARS-CoV-2 (coronavirus).
Tri raste nga Komuna e Malishevës, që të tre persona kontakti të një pacienteje të diagnostikuar pozitive me COVID-19, me datë 14.03.2020 dhe rasti i katërt është personi nga Komuna e Podujevës.

Përfshirë edhe rastet e mëhershme, tani më në Kosovë kemi të konfirmuara 9 raste pozitive me COVID-19.

Bazuar në situatën e krijuar dhe me qëllim të ruajtjes së shëndetit të popullatës, porsa kërkova nga Kryeministri, Albin Kurti, që t’i propozojë Qeverisë shpalljen e emergjencës për shëndetin publik.

Të dashur qytetarë ju ftojmë të bashkëpunojmë në menaxhimin e kësaj situate. Kjo duke ndjekur rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, si dhe duke qëndruar në shtëpitë tuaja, që të kujdesemi për shëndetit njëri-tjetrit. Reduktoni daljet veç në raste emergjente.

Ju faleminderit për mirëkuptim!

Të ngjashme