Kryesia e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë mbajti mbledhjen e rregullt në të cilën u diskutua për procesin zgjedhor të 11 qershorit dhe u analizua rezultati i LDK-së në këto zgjedhje.
Në takimin, të cilin e udhëhoqi kryetari i Degës së LDK-së, Agim Veliu, u diskutua dhe u analizua rezultati i LDK-Podujevë në zgjedhjet e parakohshme nacionale.
“Me këtë rast u themelua një grup punues në përbërje nga anëtarë të Kryesisë, Forumi i Gruas dhe Forumi i Rinisë, i cili do ta përgatis një raport të detajuar për rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit”, thuhet në njoftimin e LDK-së
Kryesia e degës, gjithashtu vendosi që menjëherë të fillohet me përgatitjet për zgjedhjet lokale. U tha se do të nisin takimet me grupet e profesionistëve, të propozuar nga nëndegët, të cilët do ta bartin barrën kryesore të hartimit të platformës qeverisëse të LDK-së për zgjedhjet lokale.
“Në takimin e kryesisë së LDK-së në Podujevë u diskutua edhe për rezultatin e LDK-së dhe partnerëve të saj në nivel vendi në zgjedhjet e 11 qershorit. LDK e Podujevës përjashon në çdo variant mundësinë e bashkëqeverisjes me PDK-në”.
Kryesia e Degës në Podujevë vlerësoi se në rrethanat aktuale më e mira për LDK-në do të ishte qëndrimi në opozitë.