Ekipi i kriketit të Bangladeshit ‘për një fije floku’ i shpëtoi sulmit në Zelandë të Re

Prishtinë | 15 Mar 2019 | 15:14 | Nga Ekonomia Online

Lojëtarët e Ekipit Kombëtar të kriketit nga Bangladeshi po trajnoheshin pranë njërës xhami ku ndodhi sulmi në Chrischurch të Zelandës së Re.

Madje ata ishin gati të futeshin brenda xhamisë pak para se të ndodhte sulmi ku mbetën të vrarë të paktën 49 persona dhe mbi 40 të tjerë u lënduan.

Mediat kanë raportuar se disa anëtarë të ekipit kanë arritur nga një konferencë shtypi e cila kishte nisur me vonesë përndryshe ekipi me shumë gjasë do të ishte brenda xhamisë kur sulmi filloi.

Menaxheri i ekipit, Khaled Mashud, ka thënë se ata kanë qenë shumë me fat.

“Ne ishim shumë afër. Ne mund ta shihnim xhaminë nga autobusi me të cilin po udhëtonim. Nëse do të arrinim tre-katër minuta më herët, me shumë gjasë do të ishim brenda xhamisë, në momentin e sulmit”.

Ai ka thënë se gjithë çfarë kanë parë ka ngjasuar me një skenë të tmerrshme filmi.

“Ne pamë gjithçka çfarë ka ndodhur nga jashtë, sikur të ishte një skenë nga filmat. Ne pamë nga autobusi kur nga xhamia po dilnin njerëz që ishin krejtësisht të përgjakur. Shumë pak njerëz arritën të dalin të gjallë nga xhamia”.

“Për tetë ose dhjetë minuta ne qëndruam të mbyllur brenda në autobus, mbanim kokat e ulura poshtë nga frika se do të kishte të shtëna edhe drejt nesh”, ka thënë Mashud për BBC-në.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme