BE-ja demanton keq mediat e Vuçiqit: Brukseli nuk jep ultimatume

Prishtinë | 29 Kor 2020 | 16:22 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësi i BE’së, Peter Stano, ka demantuar raportimin e sotëm të mediumit serb “Novosti” kinse për një ultimatum që Brukseli po përgatit për Serbinë me qëllim të njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe lejimit të anëtarësimit në OKB.

“Në parim, ne nuk komentojmë sa i përket spekulimeve të mediave, por sa i përket këtij rasti, dua që në mënyrë eksplicite të demantoj spekulimet për takimin e nesërm të nivelit të ekspertëve”, ka thënë Stano për REL.

Media të afërta me pushtetin në Serbi sot kanë raportuar se Bashkimi Evropian është duke përgatitur një ultimatum për Serbinë, ku gjatë kësaj të enjte do të kërkojnë nga Beogradi zyrtar që të njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe që Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Sipas tekstit, drafti është punuar pa e parë as Kosova e Serbia dhe se për këtë janë keqpërdorur takimet e Brukselit.

Një shkrim të tillë e ka publikuar mediumi serb “Novosti”, i thirrur në burime diplomatike.

Gjithmonë sipas këtij mediumi, Marko Gjuriqit të enjten do t’i paraqitet një draft marrëveshje gjithëpërfshirëse në të cilën përfshihet njohja e Kosovës nga Serbia.

Të ngjashme