Hoti e Mehmeti e vlerësojnë stabil sistemin bankar e financiar; edhe në pandemi bankat rritën asetet, kreditë e depozitat

Prishtinë | 16 Nën 2020 | 15:19 | Nga Aulona Sylaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, ka thënë se ky institucion ka dhënë ndihmë me të gjitha kapacitetet që ka për një rimëkëmbje ekonomike.

Mehmeti priti të hënën në vizitë kryeministrin, Avdullah Hoti, së bashku me ministren e Financave, Hykmete Bajrami. Ata kanë biseduar për bashkëpunimin që duhet të ketë Qeveria me Bankën Qendrore të Kosovës në masat e reja për rimëkëmbjen ekonomike nga janari i vitit të ardhshëm. 

Në një konferencë të përbashkët shtypi, Mehmeti tha se kanë pasur qëllim ndihmën e bizneseve, duke qenë edhe në komunikim të vazhdueshëm më institucionet.

“Gjatë gjithë kohës është siguruar funksionimi i rregullt i sistemit të pagesave në mbarë vendin, përfshirë këtu edhe zonat të cilat kanë qenë të izoluara për një periudhë më të gjatë kohore. BQK-ja që në fillim të masave kufizuese, në muajin mars, ka treguar proaktivitet të lartë që, në kuadër të
instrumenteve që ka në dispozicion, të ndihmojë agjentët ekonomikë në përballimin sa më të lehtë të kësaj krize ekonomike. Masat e ndërmarra nga ne në situatën emergjente, kryesisht kanë pasur për qëllim ndihmën në ruajtjen e likuiditetit të individëve dhe të bizneseve, duke u mundësuar atyre që të shtyjnë pagesat e kësteve kreditore. Pas fazës emergjente këto masa më pas u pasuan me lehtësime të tjera për bankat që t’i mundësojnë huamarrësve të prekur nga kriza ristrukturimin e kredive të tyre, në mënyrë që kredimarrësit në vështirësi financiare të kenë mundësinë të përmbushin detyrimet e parapara me kontratë, dhe me qellim të rikthimit në normalitet te aktivitetit të tyre biznesor”, deklaroi Guvernatori Mehmeti.

Ai tha se sektori bankar, para pandemisë ka qenë stabil, dhe vazhdon të jetë stabil.

BQK, sipas tij, ka ndihmuar me të gjitha kapacitete e saj për një rimëkëmbje ekonomike.

Kryeministri Hoti ka deklaruar se ndihet mirë për informatat premtuese për stabilitetin e sistemit bankar dhe financiar në vend, me rritje vjetore të aseteve prej  rreth 10 për qind në 7.5 miliardë euro, me rritje të kredive në 3 miliardë euro që është rritje prej 7.2 për qind në baza vjetore kur krahasohen me vitin e kaluar, rritje të depozitave gjithashtu prej 11 për qind, që tregon se qytetarët dhe bizneset besojnë në qëndrueshmërinë e sistemit bankar në Kosovë.

“Është më së e qartë që ne do të përballemi  me këtë pandemi përtej dhjetorit të këtij viti. Deri në fund të dhjetorit ne praktikisht e mbështesim ekonominë e Kosovës me rreth 5 për qind të bruto produktit vendor në kuadër të Fondit për Rimëkëmbjen Ekonomike prej 365 milionë eurove”, tha kryeministri Hoti.

Ai theksoi se me buxhet është paraparë vazhdimësia e këtij fondi për vitin e ardhshëm  në shumën prej 182 milionë euro si ndihmë për bizneset dhe për qytetarët.

 Kryeministri Hoti në takim me guvernatorin e BQK-së Mehmeti, ka biseduar edhe për ndihmën për Fondin për Garanci Kreditore dhe bashkëpunimin për të ulur numrin e veturave të paregjistruara, në mënyrë që në janar, të fillohen bisedat e nevojshme për ta bërë Kosovën pjesë të Kartonit të Gjelbër.


Të ngjashme