“Trepça” bekim për Kosovën, ligji i ri hap rrugë për zhvillim

Prishtinë | 06 Tet 2016 | 13:03 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Zhvillim Ekonomik në Kuvendin e Kosovës ka diskutuar për Projektligjin për “Trepçën”. Anëtarët e Komisionit nga partitë e koalicionit janë shprehur pro këtij ligji, duke theksuar se duhet përkrahur unanimisht edhe nga institucionet.

Sipas tyre Ligji për Trepçën i hapë rrugët për zhvillimin e kësaj ndërmarrje që do të jetë frytdhënës për qytetarët e Kosovës.

Ministri për Zhvillim Ekonomik, Blerand Stavileci, duke raportuar para anëtarëve të komisionit e konsideroi këtë projektligj si ndër më të rëndësishmit, duke theksuar se sipas renditjes kohore ligji për “Trepçën” duhej të bëhej i pari.

Ai njoftoi se gjatë hartimit të Projektligjit për Trepçën, ministria ka konsultuar ekspertë ligjor dhe të fushës përkatëse. Me këtë Projektligj, tha ai në vijim, është synuar që Trepçës t’i hapet rruga e zhvillimit të mirëfilltë ekonomik, si dhe të rregullohet statusi i saj, në harmoni edhe me Kushtetutën e vendit.  

Duke shtjelluar pjesë të këtij Projektligji, ministri Stavileci në vijim sqaroi se me këtë projektligj është paraparë që statusi i Trepçës të jetë, shoqëri aksionare. Sipas statusit të ri që do të ketë “Trepça”, tha më tej ai, Qeveria e Kosovës do të ketë 80 % të pronësisë së saj, ndërkaq 20 përqindëshi do t’u takojë punëtorëve. 

“Pas shumë konsultimesh sidomos javën e fundit ne kemi arritur që të bëjmë një projektligj, i cili ka për synim që ‘Trepça’ me i hap rrugët për një status të mirëfilltë zhvillimor. ‘Trepça’ nuk do të jetë si ndërmarrjet e tjera, ku qeveria është aksionare… Gjithmonë dy parimet kryesore janë dy ligje. Neni 122 i Kushtetutës dhe tjetri Ligji për Miniera dhe Minerale tregojnë resurset dhe mineralet janë pjesë e Republikës së Kosovës”, tha ministri Stavileci.

Kliko për ta lexuar Projektligjin

Kyesuesi i këtij komisioni, Muhamet Mustafa tha se ky ligj përkundër rrethanave që i ka, ka arritur që të bëjë zgjidhje.

“Në rend të parë ky ligj ka konstatuar pasurin e Kosovës. Ky biznes, i cili do të prodhojë efekte që të simbolizojë ‘Trepçën’ si simbol tonin, gjithashtu do jetë edhe frytdhënës për qytetaret e Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Gjithashtu ai paralajmëroi që ditën e hënë do bëhet dëgjimi publik për këtë Projektligj.

Deputetët të cilët janë pjesë e këtij komisioni e sidomos ata që janë pjesë e partive të pozitës thanë që mineralet që i ka Kosova janë bekim për vendin, por ekziston edhe një mallkim, pasi që nuk po i përdorim.

“Pasuria që e ka ‘Trepça’, për Kosovën është mrekulli. Besoj që ky ligj është kornizë që hap rrugën… Ne duhet të përkrahim këtë ligj unanimisht, por edhe institucionet duhet ta përkrahin, por jo vetëm moralisht,” ka thënë Besim Beqaj anëtar i komisionit nga radhët e PDK-së.

Ndërsa Sasha Milosavljeviq, nga Lista serbe, tha se do ta kundërshtojnë këtë ligj dhe nuk do ta votojnë. Ai ka thënë që Lista serbe nuk ka marrë pjesë fare në hartim të këtij projektligji.

Visar Ymeri, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka paraqitur shumë vërejtje në lidhje me këtë projektligj, ku sipas tij Kuvendi nuk ka kurrfarë roli në “Trepçë”.

Ai tha se Qeveria prapë nuk ka nxjerrë një strategji për “Trepçën” para se ta sjell projektligjin në Kuvend.

“Po flasim për Ligjin për ‘Trepçën’ por nuk kemi strategji. Nga qeveria është arsyetuar me studim të fizibilitetit, por ky ligj lë mundësi të shumta. Mundësitë e hapura janë për keqmenaxhim të ‘Trepçës’”.

“Janë forma të privatizimit në dy rrafshe të gabuara, sepse nuk shihet fare se si do funksionojë si shoqëri publike dhe me këto vendime siç shihet me ligj, Kuvendi përjashtohet..”, tha Ymeri në fjalimin e tij për “Trepçën”.

 

Të ngjashme