ZKA publikon 13 raporte të auditimit, Spanca thotë se zbuluan parregullsi thelbësore në menaxhimin financiar dhe të kontrollit

Prishtinë | 12 Maj 2022 | 11:44 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka mbajtur një konferencë shtypi me rastin e fillimit të publikimit të raporteve të auditimit për sezonin auditues 2021/22.

Auditorja e Përgjithshme ka prezantuar çështjet kryesore të paraqitura në raportet e auditimit të rregullsisë për Komunat e Gjilanit, të Skenderajt, të Vushtrrisë, të Graçanicës, të Zveçanit, të Shtërpcës, të Mitrovicës së Jugut, të Mitrovicës së Veriut, të Novobërdës dhe Komunën e Kamenicës; si dhe Ministrinë e Ekonomisë.

Gjithashtu çështjet në dy raporte të auditimit të performancës që janë: Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare (Testi PISA) dhe Prokurimi në Korporatën Energjetike të Kosovës (2018 – 2020).

“Në 11 raportet e auditimit financiar dhe pajtueshmërisë janë dhënë 9 opinione te modifikuara, përkatësisht ‘të kualifikuara’ dhe 2 opinione ‘të pamodifikuara'”, tha Spanca, raporton Ekonomia Online.

“Arsyet kryesore pse Opinioni i auditimit është kualifikuar kanë qenë, për shkak se PVF përmbajnë keq deklarime materiale. Këto keq deklarime, kryesisht kanë te bëjnë me regjistrimin dhe raportimin jo te saktë dhe jo plotë te pasurive jo financiare, shpalosjet jo te plota dhe jo te sakta për llogaritë arkëtueshme, detyrimet kontigjente dhe  si dhe keq klasifikimet e shpenzimeve ne kategori (kode) të caktuara ekonomike”.

“Rezultatet tona të auditimit kanë nxjerrë në pah se edhe më tutje ekzistojnë parregullsi thelbësore në menaxhimin financiar dhe kontrollit. Parregullsitë janë te përhapura pothuajse në secilin cikël dhe fushë te shpenzimeve”, theksoi Spanca.

Ajo ka përmendur disa nga parregullsitë kryesore: Angazhimi i punonjësve me marrëveshje për shërbime të veçanta pa respektuar procedurat e prokurimit publik dhe kryesisht për pune dhe detyra te rregullta te organizatës; Mangësi në procesin e prokurimit publik, disa prej tyre, përdorimi i procedurës joadekuate të prokurimit publik, tejkalim i vlerës se kontratave, mangësi ne menaxhimin e kontratave, inicim i projekteve pa zotim të mjaftueshëm te fondeve; Mospagesa e faturave brenda afatit 30 ditëve; Mungesa e planit vjetor të mbështetjes financiare të OJQ-ve; Mangësi në procesin e vlerësimit të aplikacioneve për subvencion; Joefikasitet në verifikimin e pronave komunale; Masa jo te mjaftueshme ne inkasimin e llogarive të arkëtueshme dhe Njësi të auditimit të brendshëm të pakompletuara.

ZKA ka audituar ka audituar, po ashtu, disa aktivitete të prokurimit që Korporata Energjetike e Kosovës i ka zhvilluar gjatë viteve 2018-2020. Gjatë këtyre viteve, përmes prokurimit KEK-u kishte lidhur 1,060 kontrata me vlerë të përgjithshme prej 181.5 milion euro. Auditimi ka përfshirë aktivitetet që nga identifikimi i nevojave, zhvillimi i procedurave të prokurimit deri te menaxhimi i zbatimit të kontratës.

“Konkluzioni i auditimit është se KEK nuk ishte siguruar që fondet dhe burimet e saj ishin përdorur në mënyrën më ekonomike, duke marrë në konsideratë qëllimin dhe lëndën e prokurimit. Po ashtu nuk ishte siguruar që në aktivitetet e veta të prokurimit t’i trajtojë operatorët ekonomik në mënyrë të barabartë dhe jo-diskriminuese dhe të veprojë në mënyrë transparente. KEK kishte zhvilluar disa aktivitete të prokurimit në atë mënyrë që kishte reduktuar apo eliminuar konkurrencën në mes të operatorëve ekonomik ose kishte diskriminuar në dëm ose në të mirë të një ose më shumë operatorëve ekonomik”.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në planin vjetor të auditimit për vitin 2021 të dorëzuar në Kuvendin e Republikës të Kosovës ka planifikuar kryerjen e 134 auditimeve në fusha të ndryshme, të cilat në bazë të kornizës ligjore me rastin e përfundimit publikohen për të mundësuar qasje të lirë dhe të pakufizuar të të gjithë të interesuarve.

Spanca tha se auditimet janë kryer në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ajo theksoi se këtë vit kanë marrë masa shtesë për t’i përmbushur detyrimet e reja pas anëtarësimit të ZKA-së në Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit.

Fjala e plotë e Auditores së Përgjithshme, Vlora Spanca, në konferencën për medie:

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Të nderuar qytetarë,

Me lejoni t’ju falënderoj juve që ju keni përgjigjur pozitivisht ftesës tonë për këtë konferencë.

Siç e dini Zyra Kombëtare e Auditimit në planin vjetor te auditimit për vitin 2021 te dorëzuar ne Kuvendin e Republikës se Kosovës ka planifikuar kryerjen e 134 auditimeve të shtrira në fusha të ndryshme, të cilat në bazë të kornizës ligjore me rastin e përfundimit publikohen për tu mundësuar qasje të lirë dhe të pa kufizuar të gjithë të interesuarve.

Ne përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor si dhe me planin e auditimit, dje me datën 11 maj, si Auditore e Përgjithshme kam miratuar dhe autorizuar dergimin e 13 raporteve te auditimit në Institucione përkatëse të audituara. Prej tyre, janë 11 raporte te auditimit financiar dhe pajtueshmërisë si dhe dy raporte te auditimit të performancës.

Raportet e kryera të auditimit financiar dhe pajtueshmërisë janë dërguar për Komunat: Gjilan, Skenderaj, Vushtrri, Kamenicë, Gracanicë, Zveçan, Shtërpcë, Mitrovice e Jugut, Mitrovicë e Veriut dhe Novo Bërdë. Gjithashtu, një raport është dërguar për Ministrinë e Ekonomisë.

Ndërsa raportet e auditimit te performances janë: njëri për “fushën e prokurimit publik ne Korporatën Energjetike te Kosovës” dhe raporti tjetër për “Vlerësimin e nxënësve në testet ndërkombëtare dhe kombëtare”.

Fushëveprim i auditimeve financiare dhe te pajtueshmërisë ka qenë auditimi i Pasqyrave Vjetore financiare për vitin 2021. Objektive e auditimit financiar është të ofrojmë siguri të arsyeshme nëse informatat financiare të prezantuara ne PVF si tërësi nuk përmbajnë keq deklarime materiale, qofte për shkak te mashtrimit ose gabimit dhe te na mundësojnë te shprehim opinionin e auditimit. Auditimet janë kryer në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme te Auditimit. Këtë vit kemi ndërmarr masa shtesë për t’i përmbushur detyrimeve tona të reja pas anëtarësimit të ZKA-së në Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI).

Në këtë aspekt, në 11 raportet e auditimit financiar dhe pajtueshmërisë janë dhënë 9 opinione te modifikuara, përkatësisht “të kualifikuara” dhe 2 opinione “te pamodifikuara”. Arsyet kryesore pse Opinioni i auditimit është kualifikuar kanë qenë, për shkak se PVF përmbajnë keq deklarime materiale. Këto keq deklarime, kryesisht kanë te bëjnë me regjistrimin dhe raportimin jo te saktë dhe jo plotë te pasurive jo financiare, shpalosjet jo te plota dhe jo te sakta për llogaritë arkëtueshme, detyrimet kontigjente dhe  si dhe keq klasifikimet e shpenzimeve ne kategori (kode) të caktuara ekonomike.  

Përveç opinionit te auditimit, ne kemi vlerësuar edhe pajtueshmërinë e aktiviteteve dhe operacioneve te organizatave buxhetore me kornizën ligjore ne fuqi. Rezultatet tona te auditimit kanë nxjerrë në pah se edhe më tutje ekzistojnë parregullsi thelbësore në menaxhimin financiar dhe kontrollit. Parregullsitë janë te përhapura pothuajse në secilin cikël dhe fushë te shpenzimeve.

Po i përmendi vetëm disa:

  • Angazhimi i punonjësve me marrëveshje për shërbime të veçanta pa respektuar procedurat e prokurimit publik dhe kryesisht për pune dhe detyra te rregullta te organizatës;
  • Mangësi në procesin e prokurimit publik, disa prej tyre, përdorimi i procedurës jo adekuate te prokurimit publik, tejkalim i vlerës se kontratave, mangësi ne menaxhimin e kontratave, inicim i projekteve pa zotim te mjaftueshëm te fondeve,
  • Mos pagesa e faturave brenda afatit 30-ditëve;
  • Mungesa e planit vjetor të mbështetjes financiare të OJQ-ve;
  • Mangësi në procesin e vlerësimit të aplikacioneve për subvencion;
  • Joefikasitet ne verifikimin e pronave komunale;
  • Masa jo te mjaftueshme ne inkasimin e llogarive të arkëtueshme dhe
  • Njësi të auditimit të brendshëm të pakompletuara.

Është për tu theksuar se këto mangësi të identifikuara në këto auditime po përsëritën çdo vit. Për ZKA-në, ky është një tregues se përkushtimi i institucioneve në zbatimin e rekomandimeve nuk është ne nivel te kënaqshëm. Për te përmirësuar menaxhimin financiar dhe kontrollin kemi dhënë një numër te konsiderueshëm te rekomandimeve te auditimit. Në lidhje më këtë, shfrytëzoj rastin të ftojë kryesuesit e organizatave buxhetore te ndërmarrin veprime konkrete me qellim qe te reflektojnë dhe ofrojnë sigurinë e nevojshme qe paraja publike shpenzohet ne përputhje me ligjin dhe për qëllimin e synuar.

Në kuadër të auditimit të përformances, Zyra Kombëtare e Auditimit ka audituar disa aktivitete të prokurimit që Korporata Energjetike e Kosovës i ka zhvilluar gjatë viteve 2018-2020. Gjatë këtyre viteve, përmes prokurimit KEK-u kishte lidhur 1,060 kontrata me vlerë të përgjithshme prej 181.5 milion euro. Auditimi ka përfshirë aktivitetet që nga identifikimi i nevojave, zhvillimi i procedurave të prokurimit deri te menaxhimi i zbatimit të kontratës.

Konkluzioni i auditimit është se Korporata Energjetike e Kosovës nuk ishte siguruar që fondet dhe burimet e saj ishin përdorur në mënyrën më ekonomike, duke marrë në konsideratë qëllimin dhe lëndën e prokurimit. Po ashtu nuk ishte siguruar që në aktivitetet e veta të prokurimit t’i trajtojë operatorët ekonomik në mënyrë të barabartë dhe jo-diskriminuese dhe të veprojë në mënyrë transparente. Korporata Energjetike e Kosovës kishte zhvilluar disa aktivitete të prokurimit në atë mënyrë që kishte reduktuar apo eliminuar konkurrencën në mes të operatorëve ekonomik ose kishte diskriminuar në dëm ose në të mirë të një ose më shumë operatorëve ekonomik.

Kjo për shkak se Korporata Energjetike e Kosovës kishte lidhur numër të konsiderueshëm të kontratave të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, duke i arsyetuar me situata të emergjencave ekstreme përderisa rrethanat që e kishin krijuar këto situata i atribuohen neglizhencës ose lëshimeve të saj.

Aktivitetet e prokurimit janë realizuar kryesisht me negocim të çmimit me ç’rast Korporata Energjetike e Kosovës, përveç që nuk ka siguruar transparencë në prokurim, ne disa raste ka paguar më shtrenjtë për mallrat dhe shërbimet e blera.

Gjithashtu, Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer auditimin e performancës “Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare”. Ky auditim përfshin periudhën 2018-2021 dhe ka pasur për qëllim që të vlerësojë nëse institucionet përgjegjëse kanë marrë masa për përmirësimin e mësimdhënies dhe vlerësimin e nxënësve në Kosovë.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Komunat Novobërdë, Istog dhe Prizren ishin subjekt i këtij auditimi.

Bazuar në gjetjet e auditorit, Konkluzioni i auditimit është se institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur të përmirësojnë metodat e mësimdhënies dhe vlerësimit në përputhje me kërkesat e kurrikulës dhe praktikat më të mira të nxjerra nga Agjencia Evropiane për Sigurimin e Cilësisë. Rezultatet e testeve ndërkombëtare në të cilat ka marrë pjesë Kosova tregojnë se ne po marrim shumë pak pikë krahas me vendet e tjera (në vendin e tretë të fundit nga 77 vende pjesëmarrëse), që është tregues se synimi i rezultateve sipas lëndëve në kurrikulë nuk po zbatohet siç është synuar. Për më shumë, Komiteti i Vlerësimeve Ndërkombëtare nuk është themeluar që do t’i vlerësonte dhe adresonte mospërputhjet dhe boshllëqet.

Rezultatet e testit kombëtar të arritshmërisë janë relativisht të larta dhe ndryshojnë shumë me vlerësimin vjetor që bëhen nga mësimdhënësit. Disa nxënës me notën 2 arritën të marrin deri në 84 nga 100 pikë. Nuk ka asnjë dëshmi nëse Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit kanë ndërmarrë ndonjë hap që ti analizojnë këto dallime, të cilat tregojnë se qëllimi i testit të arritshmërisë nuk është arritur dhe si rezultat mund të demotivojë dhe të nxis një kulturë jo të mirë mes nxënësve. Për më shumë as, Divizioni për Standarde, Monitorim dhe Vlerësim nuk ka bërë asnjë monitorim në asnjë shkollë.

Në fund, më lejoni që përmes kësaj konference për media të shfrytëzoj rastin që të ftojë të gjitha institucionet e audituara që raportet e auditimit, në veçanti rekomandimet e dhëna ti pranojnë si një kontribut serioz më qëllim kryesor përmirësimin e proceseve, aktiviteteve dhe operacioneve të organizatave të tyre. Kjo padyshim se do të ndikojë në përmirësimin e përgjithshëm të menaxhimit më të mirë të parasë publike dhe cilësisë se shërbimeve të ofruara.

Unë, si Auditore  e Përgjithshme dhe i gjithë personeli i Zyrës Kombëtare të Auditimit, në përputhje me mandatin e përcaktuar kushtetues dhe ligjor do  të jemi të gatshëm të ndihmojmë në adresimin sa më efikas të  rekomandimeve të dhëna në  të mirë të interesit publik.

Për ju qe jeni prezent sot, kopjet e raporteve te auditimit per te cilat diskutuam sot i keni ne tavolinën afër dhe mund t’ju referoheni, ndërsa per sqarime shtese, kur do qe e vlerësoni pyetjet e juaja mund ti drejtoni tek Departamenti për bashkëpunim dhe komunikim.

Lexo më shumë:

Të ngjashme