Dy partitë më të mëdha opozitare në Komunën e Prishtinës, LDK e PDK, e kanë akuzuar Ekzekutivin për injorimin dhe mungesën e gatishmërisë për t’u përgjigjur në pyetjet që shtrojnë këshilltarët komunalë rreth çështjeve të ndryshme.
Halim Halimi, kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës nga radhët e LDK-së, ka thënë se Ekzekutivi pothuajse asnjëherë nuk përgjigjet në pyetjet e këshilltarëve komunalë.
“Ndonëse është detyrim ligjor që të kthehen përgjigjet në pyetjet që adresojnë këshilltarët komunalë, opozita nuk merr përgjigje gati asnjëherë. S’e mbaj mend a janë kthyer 2 herë përgjigje nga pyetje të shumta që i drejtohen Ekzekutivit në secilën mbledhje të Asamblesë”, ka thënë Halimi.
Ai ka thënë se organet e Kryesisë së Kuvendit nuk kanë asnjë mekanizëm që mund të detyrojë Ekzekutivin, pra kryetarin e Komunës, Shpend Ahmeti, dhe drejtorëve komunalë, që t’u kthejnë përgjigje kërkesave që ngrenë anëtarët e Kuvendit Komunal.
Lirak Çelaj, asamblist i PDK-së, ka thënë se opozita nuk merr përgjigje në pyetjet që ngre në të shumtën e rasteve, sepse ato pyetje injorohen nga Ekzekutivi./KD/