Ende asnjë zëvëndësim për ambasadorët e shkarkuar

Prishtinë | 28 Gus 2021 | 10:58 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ende nuk ka emëruar asnjë ambasador, ndonëse tre muaj më parë janë shkarkuar 13 ambasadorë, e të cilët sipas afateve kohore pritet të kthehen në Kosovë deri të martën.

Për kthimin e tyre ishte deklaruar edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla e cila ishte shprehur se ata e përfundojnë mandatin në fund të muajit gusht.

E megjithatë, kjo ministri ende nuk ka propozuar asnjë emër për ambasadorë.

Përmes një përgjigje për Telegrafin kanë thënë se brenda pak ditësh do të bëhen të ditura detaje lidhur me emërimet.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), është në fazën e finale të përmbylljes së këtij procesi. Të gjitha detajet lidhur me emërimin e ambasadorëve do të bëhen të ditura për opinionin brenda pak ditësh”, thanë në një përgjigje në MPJD.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla gjatë raportimit para Komisionit për Punë të Jashtme tha se nuk do të ketë vakum institucional edhe pse janë liruar nga detyra 13 ambasadorë politikë.

Ajo tha se vendimin për lirimin nga detyra të 13 ambasadorëve politikë e kanë marr pasi e kanë menduar mirë procesin, ndërsa emërimi i të rinjve do të bëhet deri në muajin gusht.

“Vendimet i kemi marr pasi jemi menduar mirë dhe konsiderojmë se është hap drejt reformës….Vakum institucional nuk do të ketë”, tha Gërvalla.

Lidhur me rastin në Australi, ku shteti i Kosovës ishte i përfaqësuar vetëm nga ambasadori dhe nuk ka staf tjetër, ajo tha se këtë e kanë trashëguar nga qeverisja e kaluar.

“Australinë e kam të trashëguar… E vetmja që na mbetet është që të emërojnë ambasador të ri”, tha ministrja duke shtuar se do ta emërojnë brenda afatit të caktuar.

Ndryshe, më 19 maj të këtij viti Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) i ka propozuar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani të lirojë nga detyra dhe tërheqje nga misioni diplomatik për të gjithë ambasadorët e Republikës së Kosovës, të cilët janë të emëruar politikisht.

Në mungesë të tyre, të ambasadorëve nëpër ambasadat në Kosovës, sipas Ligjit ata zëvendësohen nga diplomati tjetër me rangun më të lartë me shërbim në atë mision diplomatik, i cili merr detyrën e të ngarkuarit të përkohshëm me punë (Chargé d’Affaires ad interim).

Të ngjashme