“Ende nuk dihet nëse zgjedhjet presidenciale serbe do të mbahen edhe në Kosovë”

Prishtinë | 27 Mar 2017 | 12:55 | Nga

“Ne ende nuk e kemi rezultatin përfundimtar të konsultimeve, do të vazhdojmë të komunikojmë me autoritetet në Prishtinë dhe Beograd dhe do t’i publikojmë të gjitha detajet”, tha Saboviç.

Edhe pse kanë mbetur disa ditë për zgjedhjet presidenciale në Serbi, të cilat pritet të mbahen më 2 prill, ende nuk dihet se a do mbahen votimet edhe në Kosovë. Në vitet e kaluara, votimet në Kosovë janë mbajtur me lejen e Qeverisë së Kosovës, të lehtësuara nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.

Zëdhënësi i OSBE-së në Kosovë, Senad Saboviç në një deklaratë me shkrim për AA tha se po vazhdojnë konsultimet me Beogradin dhe Prishtinën, lidhur me çështjen se a do të organizohen votimet presidenciale të Serbisë edhe në Kosovë, në mjediset ku jetojnë serbët.

“Ne ende nuk e kemi rezultatin përfundimtar të konsultimeve, do të vazhdojmë të komunikojmë me me autoritetet në Prishtinë dhe Beograd dhe do t’i publikojmë të gjitha detajet përkatëse pasi që vendimi të merret. Në përgjithësi, atmosfera rreth kësaj çështjeje është pozitive”, tha Saboviç.

Ai po ashtu shtoi se në rast të arritjes së një marrëveshjeje, Misioni i OSBE-së në Kosovë është plotësisht e përgatitur për organizimin e mbledhjes së votave.

Ndryshe, Komisioni Zgjedhor i Serbisë ka miratuar udhëzimin për votime për zgjedhjet presidenciale në Serbi, me të cilën parashihet që zgjedhjet të mbahen edhe në Kosovë, me ndihmën dhe mbështetjen e OSBE-së. Materialet zgjedhore për Kosovën do të dërgohen më 31 mars, në komisionet zgjedhore në Rashkë ose në Vranjë.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme