Entuziazëm për Valdete Idrizin në “Urën e Gjakut”

Mitrovicë | 18 Tet 2017 | 10:56 | Nga

Qytetarët e “Urës së Gjakut” e kanë pritur me entuziazëm kandidaten e PDK-së për kryetare të Komunës së Mitrovicës, Valdete Idrizin, në vazhdën e takimeve në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale të 22 tetorit. Ajo i ka falënderuar qytetarët për përkrahjen e madhe dhe ju ka premtuar atyre se me fitoren e madhe të PDK-së me 22 tetor, Mitrovicës do t’i kthehet shpresa dhe zhvillimi.

Idrizi theksoi se mbështetja e fuqishme për kandidaturën e saj, tregon se mitrovicasit duan një mentalitet të ri qeverisës. “ Jam krenare që jam kandidate për kryetare të Mitrovicës nga PDK-ja, sepse në këtë parti janë njerëzit më të përgatitur në të gjitha fushat. Janë ekspertët më të dalluar të qytetit, me të cilët do ta formojë qeverinë komunale, nëpërmjet të cilëve do t’u ofrojë qeverisjen më transparente, qeverisjen më të ndershme, ku qytetari do të jetë në qendër, zëri i të cilit do të jetë vendimtar në përzgjedhjen e projekteve për lokalitetet e tyre”.

Sipas saj, programi zhvillimor i PDK-së është më i miri prej atyre të partive të tjera dhe në fokus ka ngritjen e mirëqenies sociale nëpërmjet projekteve që do të gjenerojnë vende të lira të punës. “Të gjitha ato që përfshihen në programin tim zhvillimor janë qind për qind të realizueshme sepse e kam përkrahjen e njerëzve tanë në qeveri dhe partisë sime në krye me kryetarin Veseli. Edhe rinia dhe gruaja do të jenë shtylla ime e fortë për të realizuar synimet tona. Entuziazmi juaj tashmë po konfirmon fitoren time dhe tuajën, andaj urime fitorja të gjithëve”, ka thënë Idrizi.

Në takim ishin të pranishëm edhe strukturat drejtuese të PDK-së, si nënkryetari Memli Krasniqi, kryetari i Degës së PDK-së në Mitrovicë, Avni Kastrati, deputeti Bekim Haxhiu etj. Nënkryetari Memli Krasniqi, ka kërkuar që të përkrahet maksimalisht Valdete Idrizi sepse është gruaja më e guximshme dhe më e ditur për t’ia kthyer shpresën dhe dinjitetin qytetit të Mitrovicës. “Të dilni të gjithë në zgjedhje dhe me votën tuaj ta ndëshkoni injorancën e ta favorizoni mendjen dhe forcën e ndryshimit me Valdete Idrizin kryetare”, ka thënë ai.

Ndërsa kryetari i Degës dhe bartësi i listës zgjedhore, Avni Kastrati ka rikujtuar investimet që janë bërë në mandatin e tij katërvjeçar (2009-2013). Ai tha se gjatë kësaj kohe janë investuar 100 milionë euro, ndërsa në mandatin e qeverisjes aktuale në krye me Agim Bahtirin janë investuar 8 milionë euro. “ Asnjë prej premtimeve të tij nuk janë realizuar, andaj kjo qeverisje duhet të përfundojë më 22 tetor 2017 për të filluar me kandidaten tonë më të mirë, Valdete Idrizin”.

Të ngjashme