Kam përshtypjen se në diskursin publik po ngatërrohet opcioni i ndarjes së Kosovës me opcionin e këmbimit territorial me Serbinë. Në kohën e paraluftës, ka ekzistuar njëfarë oferte serbe për ndarjen e Kosoves, ku Serbia do ta merrte mbi 60 për qind të saj! Ndërsa, oferta e Perëndimit për ne ishte një autonomi substanciale, ku Kosova mbetej nën Serbi! Pavarësia (e kushtëzuar) erdhi vetëm pas lufte që do të thotë se pa luftë nuk do të vinte kurrë! Madje, ajo u bë e mundur formalisht vetëm nëntë vite pas. Tash kemi Kosovën e pavarur si projekt i përbashkët i politikes kosovare me SHBA-në dhe Evropën dhe në harmoni me drejtësinë ndërkombëtare.
Për fat të keq, klasa politike kosovare nuk ka arritur që ta bëjë një shtet funksional dhe si pasojë e kësaj janë zgjuar orekset e Serbisë për ndarjen e Kosovës. Por, deri me sot variantin e ndarjes nuk e ka pranuar asnjë politikan shqiptar, pra as Hashim Thaçi. Opcioni i këmbimit të territoreve me Serbinë ka qenë gjithmonë një opcion yni, i biseduar në qarqe joformale, sidomos para lufte dhe gjithnjë në kuadër të mundësisë se një konfiguracioni të ri gjeoplitik në Ballkan. Mirëpo, ky nuk ka qenë opcion as ofertë e Serbisë zyrtare. Në fakt, Serbia e Millosheviqit pretendonte Kosovën e tërë, kurse opcioni i ndarjes ishte i inicuar nga opozita serbe si një kompromis i zgjidhjes së këtij problemi pa luftë. Tani, për herë të parë opcioni i këmbimit territorial përmendet edhe në Serbi. Ky pra është një moment i ri që në planin teorik është një avansim qëndrimesh serbe dhe një mundësi e re për të dy palët, kurse në planin praktik varet se sa ky opcion gjen përkrahje në Serbi dhe në Kosovë dhe se sa ne jemi të zotët ta shfytezojmë këtë moment për veprim mbi definimin e qartë të interesit tonë politik e kombëtar. Mirëpo, përveç përcaktimit të qartë kërkohet uniteti dhe vendosmeria jonë përballë Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare me moton se pavarësisht këtij epilogu, brenda nesh, nuk do të ketë humbës dhe fitues politikë. Nuk e kuptoj se cfarë do t’i duhej epërsia politike një partie opozitare nëse epilogu i bisedimeve do ta nxirrte humbëse Kosovën?! Pra, moto duhet të jetë: Nëse fitojmë, fitojmë të gjithë dhe nëse humbim, humbim të gjithë!
Një gjë është shumë e qartë, ndryshimin e kufijve tash për tash nuk e përkrah shumica serbe, ashtu sikurse nuk e përkrah as shumica shqiptare. Dhe, nëse themi se faktori ndërkombëtar do të na impononte këtë zgidhje, kjo nuk pi ujë, sepse faktori ndërkombëtar do të bënte presion ndaj nesh për një zgjidhje me të cilën do të pajtohej edhe Serbia. Gjasat pra janë me shumë që ky këmbim të mos ndodhë fare dhe të harrohet shpejt.
Duket se Letra e presidentit Trump është keqkuptuar gjërësisht në Kosovë dhe këtë e ka konfirmuar edhe ambasadori amerikan.Kjo letër nuk është ndonjë moment i ri që orienton, apo përcakton Marrëveshjen me Serbinë. Letra e Trumpit definitivisht nuk e legjitimon luksin e askujt për të bërë me Kosovën çka don ai, qoftë ai presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për shembull, apo kushdoqoftë tjetër. Kjo letër me asnjë fjalë nuk e përcakton epilogun e dialogut, vetëm se mbështet atë, mbështet formatin e tij (që ai të bëhet në nivel presidentësh) dhe kërkon maturi politike që të mos bëhen hapa që dëmtojnë një proces (bllokada ekonomike, për shembull) që duhet të jetë në fazën e fundit të tij.
Kosova nuk ka nevojë të ndihet inferiore ndaj Serbisë përderisa në procesin e bisedimeve është palë e barabartë me të. Ne nuk jemi duke bërë negociata politike në kohë lufte, por në kohë paqeje, ku në shërbim hyjnë vetëm mjetet politike dhe jo artileritë ushtarake! Mirëpo, nuk duhet harruar një gjë, se ne, qoftë me fajin serb, qoftë me fajin tonë, nuk kemi arritur që ta akomodojmë në mënyrën më të mirë pakicën serbe, apo nuk kemi arritur t’i përmbushim pritjet e botës demokratike në këtë plan dhe se ne nuk mund ta kemi përkrahjen e saj pa dhënë garancione të qarta dhe pa bërë hapa kompromisi në këtë drejtim. Në këtë pikë vazhdimisht janë thyer shtizat mes pushtetit dhe opozitës në Kosovë. Tani pra, është ai momenti kur duhet pranuar njërin nga variantet që na konvenon neve e me të cilën do të pajtohej edhe Serbia. Pavarësisht se në bazë të Kushtetutës marrëveshjet ndërkombëtare janë përgjegjësi e qeverisë, një unitet politik i formalizuar me pjesmarrjen e opozitës në ekipin negocues, do të ishte më se i dobishëm. Kosova nuk ka arritur ende që të konsolidohet dhe të funksionojë si një shtet normal. Është pra pikërisht epilogu i bisedimeve ai që pritet ta mundësojë një gjë të tillë.