Escobar pas takimit me Kurtin: Patëm një diskutim të mirë, më premtoi se do të shqyrtojë propozimet e mia për dinarin

Prishtinë | 14 Mar 2024 | 18:00 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

I dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se ka pasur një bisedë të mirë dhe të hapur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, sa i përket çështjes së dinarit.

Pas takimit të mbajtur në Qeverinë e Kosovës, emisari amerikan deklaroi për mediet se kryeministri kosovar i ka premtuar se do të shqyrtojë disa prej propozimeve të tij që kanë të bëjnë me çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit serb.

Ai tha se askush nuk mund të preket kur dëgjon se si pjesa më e cenueshme e shoqërisë nga komuniteti serb nga rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave në Kosovë.

“Kryeministri e pranoi këtë dhe premtoi se do të shikonte disa nga propozimet që ia paraqita sot”, tha Escobar.

Emisari amerikan tha se SHBA-ja mbetet parnerja më e besueshme dhe më e angazhuar e Kosovës. Por, tha se çështja e dinarit paraqet sfida në raportet me Kosovën.

“Të jem i sinqertë, këto sfida janë për shkak të trajtimit tani që po i bëhet minoritetit serb. Është për keqardhje që duhet të kalojmë nëpër këtë situatë. Por, rregullorja e BQK-së për dinarin ka shkaktuar probleme për disa prej qytetarëve e këtij shteti dhe jemi shumë të shqetësuar. Ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë çështje, por mendoj se është një çështje urgjente humanitare të cilën duhet ta adresojmë menjëherë”, tha Escobar.

Ai ka thënë se ka dëgjuar rrëfimet e qytetarëve serbë të Kosovës, për sfidat me të cilat po përballen nga Rregullorja e re e BQK-së.

“Janë ata anëtarët më të cenueshëm, personat me aftësi të kufizuara, pensionistët dhe studentët. Jam prekur nga rrëfimet e tyre se si vendimi i ka prekur ata. Kryeministri e pranoi këtë dhe premtoi se do të shohë disa nga propozimet që ia kam bërë atij sot”, ka thënë Escobar.

Zyrtari amerikan tha se shpreson që Qeveria e Kosovës të jetë fleksibile gjatë një takimi të dialogut të martën e ardhshme për këtë çështje, pa dhënë më shumë detaje.

“Raportet Kosovë-SHBA përballen me sfida shkaku i trajtimit të minoritetit serb”

Zëvendësndihmës-sekretari i Shtetit Amerikan, Gabriel Escobar, ka thënë për gazetarët se raportet Kosovë-ShBA aktualisht përballen me sfida shkaku i trajtimit të minoritetit serb nga Qeveria e Kosovës.

“Duhet të pranoj se marrëdhëniet tona kanë disa sfida tash, e këto sfida janë për shkak të trajtimit të minoritetit serb në Kosovë. Është çështje emergjente humanitare që duhet adresuar menjëherë”.

Nga ana tjetër, ai e ka përgëzuar kryeministrin Kurti për vendimin që ka marrë për Deçanin. “Ishte vendim i vështirë, por i duhur”.

I pyetur për kritikat për një qasje të pabalancuar të SHBA-së karshi Kosovës, Escobar ka thënë se çdo gjë që ka bërë SHBA-ja në vitin e fundit ka qenë për Kosovën.

“Menjëherë pas Ohrit kemi përkrahur kandidaturën tuaj për Këshill të Evropës, kemi përkrahur proceset tuaja demokratike, përfshirë zgjedhjet në veri. Qëndruam me ju pas 24 shtatorit, e kemi marrë vendimin që të ju ofrojmë ‘Javelin’, më shpjegoni se si është e pabalancuar kjo. Çdo gjë që kemi bërë ka qenë për Kosovën e do ta vazhdojmë ta bëjmë këtë. Në ndërkohë shpresojmë që Kosova të dëgjojë shqetësimet tona. Nuk duhet të jetë e vështirë, pasi këta janë qytetarë të Kosovës”, ka thënë Escobar.

Çështja e dinarit ka tendosur raportet mes Qeverisë Kurti dhe administratës amerikane, teksa zyrtarët amerikanë kanë deklaruar më herët se ekzekutivi kosovar nuk po i trajton si partnerë.

Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, parasheh euron si valutën e vetme për pagesa në Kosovë.

Vendimi për rregulloren e BQK-së është kritikuar nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, që kanë argumentuar se ai është marrë pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimet negative te popullata serbe që jeton në Kosovë.

Uashingtoni ka kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit, ndërkaq BE-ja ka kërkuar që për këtë çështje të gjendet një zgjidhje në kuadër të dialogut në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.

Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre në dinarë – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Escobar nisi vizitën e tij në Kosovë një ditë më herët, kur u takua me presidenten Vjosa Osmani, me krerët e partive opozitare dhe me përfaqësuesit politikë të serbëve në Kosovë.

Të ngjashme