Eurodeputeti gjerman, Lajçakut: Më shumë rreshtoheni me agresorin se me viktimën

Prishtinë | 28 Qer 2023 | 17:58 | Nga Ekonomia Online

Gjatë ditës së djeshme, në Komitetin e Parlamentit Evropian për Punët e Jashtme, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, është përballur me një pjesë të eurodeputetëve në lidhje me situatën mes vendit tonë dhe Serbisë.

Disa nga ta qenë mjaft të ashpër ndaj tij, duke e konsideruar si të anshëm ndaj Serbisë. Ata i thanë Lajçakut se i bëri që ta mbrojnë agresorin, në këtë rast Serbinë, e ta sulmojnë viktimën, në këtë rast Kosovën.

Në mesin e tyre ishin Tonino Picula, Thijs Reuten, Thomas Waitz, Romeo Franz dhe Michael Gahler.

Eurodeputeti gjerman, pjesë e Grupit të Partisë Popullore Evropiane (EPP), Gahler, i tha Lajçakut se që nga marrja e kësaj pozite, ai është rreshtuar më shumë me agresorin e jo me viktimën.

“Duke i përcjellë aktivitetet tua që kur e ke marrë funksionin, shoh se rreshtoheni më shumë me agresorin e jo me viktimën, në raportin mes Kosovës dhe Serbisë. Apo e ndjeni besimin e serbëve dhe kosovarëve? Të gjithë i dimë veprimet e Serbisë dhe liderëve të Serbisë: David iu referua targave të veturave, tërheqjes së policëve nga zyrat dhe funksionet publiket, mospjesëmarrja në zgjedhje, koordinimi i politikës së jashtme me Rusinë, rreshtimi me kriminelë të dënuar të luftës, premtime të shkelura, mos-nënshkrim të marrëveshjeve të pretenduara, mos-pjesëmarrje në takimet e dialogut tuaj, e të tjera. Krejt kjo kontribuon në një opinion publik në Kosovë që ata thonë, jo, nuk dëshirojmë asnjë koncesion, edhe nëse na njohin”, i tha Gahleri Lajçakut.

Më tej, ai kërkoi të dijë se cili është reagimi i Lajçakut ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe qeverisë së tij.

“A nuk është dashur ta kritikoni publikisht edhe Vuçiqin? A s’është dashur që BE-ja të ndalojë dhe të kërcënojë me uljen e rrjedhës së parasë ndaj Serbisë? A nuk është dashur që ju ta adresoni nacionalizmin serb i cili është edhe shkaktari bazë i pasigurisë dhe frikës në mbarë Ballkanin Perëndimor? Cilat janë fjalët tuaja dhe të Borrellit ndaj qytetarëve të Serbisë që protestojnë në shifra të mëdha kundër qeverisë së tij?”, ishin disa nga pyetjet e Gahlerit të drejtuara ndaj emisarit të BE-së për dialogun.

Tutje, ai tha se mendon që “Kosova është vendi më pro-perëndimor në rajon, me të arritura politike që shkojnë në drejtimin tonë, me arritje anti-korrupsion, forcim të sundimit të ligjit, demokraci stabile, rritje ekonomike, një qeveri me mbështetje të lartë publike dhe rreshtim 100% me deklaratat tona të politikës së jashtme”.

Dhe Kosova, tha ai, është e hapur për një zgjidhje të balancuar me Serbinë, “por po kërkon ndërmjetës të ndershëm që nuk e zbusin presidentin serb dhe nuk i bëjnë presion viktimave”.

“Pra, kur prisni se mund të shohim një kthim 180 shkallë tuajin ndaj presidentit të Serbisë: nga konfrontimi në bashkëpunim, nga nacionalizmi në njohje. Një ndryshim politik që do të meritonte vërtet mbështetjen e BE-së”, potencoi eurdeputeti gjerman, Michael Gahler.

Të ngjashme