Fabiana Bytyqi në prill mbron titullin e botës

Prishtinë | 26 Shk 2019 | 09:34 | Nga Ekonomia Online

Boksierja me prejardhje nga Kosova, Fabiana Bytyqi, është duke u përgatitur për të mbrojtur titullin e botës për herë të parë.

Bytyqi 23-vjeçare, më 22 shtator të vitit të kaluar, fitoi titullin e botës në kategorinë atom, në versionin WBC, që është një prej katër versioneve të mëdha të boksit profesionist. Kategoria atom është minimalja në boksin profesionist. Në të garojnë boksieret deri në 46.226 kg, shkruan Koha Ditore.

Bytyqi, që jeton në Çeki, do ta mbrojë titullin më 6 prill në Usti nad Labem. Përballë saj do të jetë meksikania Maria “Sol” Vargas, ka njoftuar të hënën faqja zyrtare e “SES Boxing”, kompania promovuese e Bytyqit.

Fabiana është e pamposhtur në boksin profesionist. I ka 14 fitore deri më tash, pesë prej tyre me nokaut. Ajo ka arritur atë që boksierët kosovarë e ëndërrojnë ende – të fitojë titull të botës. Por natyrisht ka pasur rrugë më të shkurtër e më të lehtë se boksierët, ndër të tjera edhe për shkak të kategorisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme