Fantazma e bllokut në “hijet e post-politikës” kosovare

Prishtinë | 31 Maj 2022 | 15:36 | Nga Afrim Kasolli

Agjentët politikë të hijeve me dy emërimet e deri tanishme, dëshmuan një gjë; se kriteret për këto emërime mbesin lidhjet familjare politike. Ose duhet të kesh lidhje të tilla me estradën, siç e tha me të drejtë këto ditë një analist, ose lidhje gjaku me figura të fuqishme politike në parti.

Me këtë qasje ata e transmetuan një mesazh të qartë; se këtë eksperiment publik mëtojnë ta shndërrojnë në trampolinë për të fuqizuar edhe afirmuar edhe më shumë këto lidhje.

Kështu është kur aksioni politik zëvendësohet më spektakël, kurse në vend të ideve, mbrojtja e klaneve familjare behët qëllim kryesor i jetës partiake. Me këtë qasje mbartësit e këtij projekti treguan; se në vend të mobilizimit qytetar opozitar dhe ofrimit të alternativave tjera në raport me pushtetin, ata tani po kërkojnë mbështetje publike vetëm për ruajtjen dhe fuqizimin e kultit sundues për familjet e tyre. Asgjë më shumë.

Është ky një hibridizim i çuditshëm i mendësisë feudale dhe sensit “aristokratik” me kërkesën për t’i legjitimuar këto fantazma me procedura demokratike. Dhe atë të maskuar nën emrin e ideologjisë liberale.

Shprehje kjo, e reminishencave të mentalitet politik të bllokut komunist, sikur në kohën e Enver Hoxhës. Sepse, edhe ajo doktrinë e propagandonte shfuqizimin pabarazive tradicionale dhe afirmonte barazinë e klasave, por në fund përfundoi në paravan për të justifikuar dominimin e familjeve të caktuara të ish-bllokut.

Po kështu edhe liberalizmi i “hijeve post-politike”, një doktrinë e cila në esencë e mbron relativizmin e lidhjeve tradicionale me qëllim çlirimin e potencialeve kreative të individit, po përdoret si ambalazh për të kundërtën e synimeve të saj. Ku mundësitë politike të individit nuk rrjedhin nga cilësitë e tij personale, por nga lidhjet e fuqishme familjare me strukturat drejtuese të partisë.

Çfarë oferte bizare. E pashembullt për nga mjerimi dhe atë jo vetëm politik, por edhe estetik.

Të ngjashme