Fatmir Limaj: Shteti është i shenjtë, mos e përzieni me pushtetin

Prishtinë | 15 Shk 2018 | 11:14 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në konferencën e organizuar nga Fakulteti i Filozofisë, me temën “Kosova 10 vjet shtet –  Mësimet dhe pritjet”, janë diskutuar problemet me të cilat Kosova është ballafaqur në këto 10 vite si shtet i pavarur, duke u kujtuar edhe ata të cilët kanë dhënë kontribut përmes lëvizjeve të ndryshme në kohën e okupimit, raporton Ekonomia Online.

Fatmir Limaj, zëvendëskryeministër i Kosovës ka thënë se në këto 10 vite, Kosova ka mundur të bëjë më tepër por ai beson se janë vendosur themelet e një shteti institucional .

Limaj ka porositur qytetarët e vendit se ata duhet ta duan shtetin dhe mos ta përziejn me pushtetin.

“Duajeni vendin tuaj, hiqni komplekset. Ne jemi komb shqiptarë e krenar. Mos e përzieni shtetin me pushtetin. Kur nuk ju pëlqen pushteti ndërrone por mos e shani shtetin. Shteti është i shenjtë nuk ka asgjë më të madhe se sa shteti”, tha Limaj.

Sipas tij, profesorët e Universitetit ishin pishtarë të çlirimit të Kosovës.

Ndërsa Bujar Dugolli, dekan i Fakultetit Filozofik tha se duhet nderuar të gjithë ata që punuan që të arrihet deri këtu. Sipas tij, studentët duhet të nderohen veçanarisht, pasi që me gjak kanë sjellë pavarësinë e Kosovës.

“Si popull shqiptar historia na mëson se çdo përpjekeje e vuajtjeve dhe sakrificave janë rezultuar me diçka që ne jemi mburrur. Gjatë tërë kësaj periudhe përpjekjet për liri, pavarësi nuk u ndalën për shqiptarët. Qershori i vitit 99 solli lirinë e Kosovës e cila u pagua me shumë mund e gjak, për lirinë të cilën ranë martirë dhe dëshmorë të lirisë dhe pa të cilët ne sot nuk do të mundemi të kremtonim as festonim këtë arritje të popullit shqiptar. Ne duhet të shprehim nderime për të gjithë ata studentët të cilët ranë që ishin pjesëtar të Ushtrisë Çlririmtare të Kosovës”, tha Dugolli.

Marenglen Verli, drejtor i Institutit të Historisë së Tiranës, tha se Kosova nuk është aty ku duhej të ishte por përcolli këshilla se shteti duhet të respektohet.

“Është një arritje që kombet tjera nuk e kanë bërë kurrë. Ne vuajtëm një shekuj në këto troje sigurisht një falmilje e coptuar nuk e ka të lehtë. Nuk jemi aty ku duhet të ishim por sigurishtë do ta arrijmë edhe atë. Shtetin tuaj duajeni dhe respektojeni”, tha Verli.

Të ngjashme