Federata i fton talentet të merren me basketboll, kaq duhet të jenë të gjatë

Prishtinë | 28 Jan 2022 | 16:42 | Nga Ekonomia Online

Federata e Basketbollit e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë talenteve, djem e vajza, që duan të merren me basketboll, të paraqiten në zyrat e shtëpisë së basketbollit kosovar.

Një kusht që e ka përmendur FBK-ja, që është i preferueshëm të përmbushet është edhe gjatësia.

Prandaj, ky institucion i basketbollit e ka zbuluar edhe gjatësinë që duhet ta kenë të rinjtë që duan të merren me basketboll në këtë rast.

Kjo vlen sidomos për djemtë e lindur në vitet 2008-2009-2010, të cilët kanë gjatësi 185 centimetra e më shumë dhe vajzat e lindura në vitet 2008-2009-2010, të cilat kanë gjatësi prej 175 centimetrave më shumë të paraqiten në zyrat e FBK-së (Adresa: Lagja “Arbëria “, Blloku C3, Rr. Radovan Zogoviq), ku më pas do të kontaktohen dhe ta zhvillojnë karrierën e tyre”, shkruan FBK-ja.

“Gjatësia ka shumë rëndësi në basketboll, andaj ju bëjmë thirrje të gjithë djemve dhe vajzave të paraqiten dhe të hyjnë në databazën e FBK-së, që është krijuar për zhvillimin e talenteve”, shton shtëpia e basketbollit kosovar.

Federata e Basketbollit e Kosovës tutje shton se ajo ju kushton shumë rëndësi gjeneratave të reja dhe masivizimit në basketboll, duke zhvilluar shumë projekte, që kanë për qëllim zhvillim e tyre dhe basketbollit kosovar në përgjithësi.  

Qëllimi i ftesës së lojtarëve/eve të gjatë është të hyjnë në databazën e FBK-së dhe më pas basketbollistët/et potencialë, më saktësisht disa prej tyre do të shkojnë në Qendrën Nacionale të Basketbollit, por edhe në klubet e Kosovës për zhvillimin e tyre.

FBK do të ju ofrojë mundësinë të gjithë basketbollistëve/eve, që shihen me të ardhme të ndritur, të kenë mundësi të luajnë basketboll dhe të ju ofrohet një ndihmë profesionale për zhvillimin e tyre. 

Të ngjashme