Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sadri Ferati, ka bërë me dije se kjo parti nuk do të bashkëqeverisë me PDK-në në mandatin e ardhshëm.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se LDK-ja do të pranojë të qëndrojë edhe në opozitë nëse nuk del e para në zgjedhjet e ardhshme, por jo të bashkëpunojë më me PDK-në. “Nëse dalim të parët në zgjedhje nuk do të kemi ofertë për PDK-në, por edhe nëse PDK-ja na jep ofertë, LDK-ja nuk do ta pranojë”, ka thënë ai.
Ferati ka treguar se rrëzimi i Qeverisë nga PDK-ja nuk ka pasur të bëjë me qeverisjen në vend.
Sipas tij, PDK-ja e ka përkrahur mocionin vetëm pse i kanë konvenuar zgjedhjet në muajin qershor. Deputeti i LDK-së në këtë legjislaturë ka thënë se PDK-ja nuk ka treguar në mënyrë të qartë se do ta mbështesë mocionin, por ka lënë të nënkuptohet se do të veprojë ashtu.