Ferizaj pret Kadarenë, i ndahet çmimi “Finesa”

Ferizaj | 31 Mar 2017 | 13:17 | Nga

Komuna e Ferizajt do të pret shkrimtarin e madh shqiptar, Ismail Kadare, ku edhe do t’i ndajë çmimin “Finesa” me motivacionin për vepër jetësore “Kolosi i veprave shqipe”. Kështu njoftoi sot numri një i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Ferizaj, Naim Ferati.

Sipas drejtorit Ferati, shkrimtari Kadare vjen në Ferizaj me ftesë të kryetarit të komunës Muharrem Svarqa, ndërsa pritja do t’i organizohet nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport së bashku me stafi e kësaj drejtorie dhe komunitetin e artistëve, me ç’rast është formuar edhe këshilli organizativ.

“Kam kënaqësi të veçante që dje komisioni që është emëruar për ndarjen e çmimit ‘Finesa’, një çmim vjetor për kulturë që ndahet për personalitete të ndryshme, të artit, kulturës dhe letërsisë në Kosovë dhe në Ferizaj. Këtë vit ky komision i cili është marr në mënyrë profesionale ka marr vendim që çmimi ‘Finesa’ për vitin 2017, t’i ndahet shkrimtarit të madh Ismail Kadare me motivacionin për vepër jetësore ‘Kolosi i veprave shqipe’. Sigurisht që ky çmim neve na bënë nder, që t’i ndajmë një personaliteti siç është Ismail Kadare”, tha drejtori Ferati.

Sipas drejtorit Ferati, është parapare që edhe parku tek teatri i qytetit të emërohet me emrin Ismail Kadare.

“Përveç ndarjes së çmimit është nxjerr edhe një propozim që sot do të dorëzohet në Kuvendin Komunal dhe në komisionin për emërimin e rrugëve dhe shesheve në Ferizaj, që sheshi tek tetari i qytetit të emërohet me emrin Ismail Kadare dhe besoj që shumë shpejt ne do të bëjmë edhe njoftimin për media për qytetarët ditën dhe kohën e arritjes së tij për pranimin e çmimit Finesa dhe për hapjen e mundësisë për emërimin e sheshit dhe zbulimin e kësaj hapësirë me emrin e tij”, ka potencuar drejtori.
Drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Naim Fearti, tha se komuna e Ferizajt ka nxjerre një rregullore për dhënien e çmimeve dhe dekoratave dhe ky çmim ndahet në kuadër të rregullores.

“Ne do të kemi një manifestim shumë të dinjitetshëm, duke përfshirë të gjitha institucionet komunale, shoqërinë civile dhe mediet, siç kanë qenë pjesë e takimit dhe komisionit për nxjerrjen e këtij çmimi, por gjithashtu do të jenë pjesë e organizimit dhe protokollit për pritjen e Ismail Kadaresë”, ka thënë drejtori Ferati, duke shtuar se për detaje të tjera të gjithë do të njoftohen me kohën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme