Fillojnë trajnimet për nxënësit dhe studentët në Komunat e Kosovës

Prishtinë | 19 Dhj 2019 | 12:56 | Nga Ekonomia Online

Asociacioni për Mbështetjen e Arsimit dhe Aftësimit Profesional të Republikës së Kosovës dhe OJQ YELLOW, kanë nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi, nënshkrimin e këtij memorandumi u bë nga kryetari i Asociacionit për Mbështetjen e Arsimit dhe Aftësimit Profesional të Republikës së Kosovës, Shkelzim Murtezi dhe drejtori Ekzekutiv i OJQ-së YELLOW, Fatlum Gogiqi.

Qëllimi i kësaj marrëveshje është ngritja e bashkëpunimit për të krijuar një bashkëpunim të ndërsjellët për arritjen e objektivave në të mirën e përgjithshme përmes bashkëpunimit në fushën e Arsimit.

Asociacioni dhe OJQ YELLOW u dakorduan që të shkëmbejnë ekspertizën e tyre, përmes shkëmbimit të ekspertëve, realizimin e projekteve në fushën e Arsimit, të mbështesin shkollat, fakultetet, nxënësit, studentët, mësimdhënësit, profesorët, të punësuarit në sektorin privat dhe publik, punëkërkuesit.

Duke ofruar Trajnime e Aftësime të ndryshme dhe shkëmbim të përvojave në mes të institucioneve brenda dhe jashtë vendit dhe duke realizuar projekte të ndryshme.

OJQ YELLOW dhe Asociacioni në fund të Dhjetorit 2019 do të fillojnë me ofrimin e Trajnimeve për disa nxënës dhe studentë nga komuna të ndryshme, ndërsa nga Janari 2020 do të ofrojnë trajnime edhe për mësimdhënësit të shkollave për Orientim në Karrierë, ku për këtë OJQ YELLOW ka ekspert të certifikuar nga institucionet me seli në Britani, me gradën më të lartë të Arsimit Profesional siç është Niveli i 5-të.

Ndërsa Asociacioni dhe Komunat do të sigurojnë kushtet për ofrimin e këtyre trajnimeve./EO

Të ngjashme