Fillon kursi për pjestarët FSK-së

Prishtinë | 16 Jan 2018 | 16:56 | Nga

Sot në kazermën “Skënderbeu” të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes(KDS), të FSK-së në Ferizaj, u mbajt ceremonia e fillimit të mbajtjes së kurseve për pjesëtarët e FSK-së, për vitin shkollor 2018. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm zëvendësministri Burim Ramadani, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, komandanti i KDS-së, gjeneral brigade Enver Cikaqi, zëvendëskomandanti i KFT-së, gjeneral brigade Gezim Hazrolli, zëvendëskomandanti i KFOR-it, gjeneral brigade Janos Csombok, atasheu ushtarak i SHBA-ve kolonel Jeffrey Fischer dhe oficerë të lartë dhe pjesëtarë të FSK-së.

Në emër të ministrit Rrustem Berisha, ceremoninë e përshëndeti zëvendësministri Burim Ramadani i cili përgëzoi FSK-në, për të arriturat e përgjithshme gjatë vitit 2017, duke shprehur përkushtimin për avancimin, ngritjen, trajnimin dhe profesionalizimin e institucioneve të sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Ngjarja e sotme është një hap i madh për dëshminë e suksesit të FSK-së. Ministria jonë është në mbështetje të plotë të secilës fushë, duke përfshirë mbështetjen për Komandën e Trajnimeve dhe Doktrinës në avancimin e punës së saj profesionale, programit të trajnimeve dhe ngritjes së kapaciteteve”, shtoi zëvendësministri Ramadani.

Ai në vazhdim të fjalës së tij tha se Qeveria e Kosovës dhe MFSK-ja po punojnë me përkushtim në përmbylljen e suksesshme të procesit të transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, duke ofruar kështu një mundësi me vlerë të veçantë për sigurinë rajonale dhe më gjerë.

Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama theksoi se kjo ceremoni shënon fillimin e trajnimeve për vitin 2018.

Mund t’ju them, tha ai, se si komandant i FSK-së jam i kënaqur me planifikimet që janë bërë. Gjeneral Rama duke iu drejtuar pjesëtarëve të FSK-së, shtoi se ”motivimi, gatishmëria dhe disiplina për të marrë njohuri të reja duhet të jetë motivi shtesë për arritje të reja individuale”. Komandanti i FSK-së, duke folur për detyrat dhe sidat tha se “zhvillimi i FSK-së është në një fazë thelbësore për ardhmen e Republikës e Kosovës. Ju e dini që ky vit është përcaktues për ndryshimet e shumë pritura për transformimin e saj në Forca të Armatosura”.

Ndërsa komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS), gjeneral brigade Enver Cikaqi, gjatë fjalës së tij, tha “Për të realizuar misionin tonë, ne zhvillojmë kurse të ndryshme profesionale me anë të të cilave synojmë aftësimin e pjesëtarëve tanë, duke ndikuar në ngritjen e një force profesionale, të gatshme të përballet me sfidat e kohës”.

Ai njoftoi se gjatë vitit 2018, në KDS, do të realizohen 35 kurse me gjithsej 74 gjenerata të kursantëve pjesëmarrës nga të gjitha njësitë e FSK-së, të cilat do të zhvillohen në: Qendrën për Zhvillim Profesional të Udhëheqësve, Qendrën e Stërvitjes Specialistike, Qendrën e Stërvitjes Kolektive, Qendrën e Stërvitjes Bazike dhe në Qendrën për Studime Universitare”.

Në fund gjeneral Cikaqi foli edhe për bashkëpunimin intensiv dhe profesional që ka KDS-ja me partnerët ndërkombëtarë.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme