Flick merr vendimin, Rashford do të qëndrojë te Barcelona

Prishtinë | 25 Maj 2026 | 18:01 | Nga Ekonomia Online

Marcus Rashford vazhdon të mbetet një nga temat më të përfolura te Barcelona, edhe pse muajt e parë të tij në “Camp Nou” kanë kaluar pa shumë zhurmë.

Sulmuesi anglez iu bashkua gjigantit katalanas gjatë verës së kaluar në formë huazimi nga Manchester United, në një marrëveshje që tërhoqi vëmendje të madhe në botën e futbollit.

Barcelona ka të drejtën e blerjes së Rashfordit për 30 milionë euro, por drejtuesit katalanas po tentojnë të negociojnë me Manchester Unitedin për të ulur koston e transferimit.

Nga ana tjetër, klubi anglez nuk dëshiron të bëjë lëshime dhe insiston që klauzola e plotë të paguhet, përndryshe është i gatshëm të dëgjojë oferta të tjera për sulmuesin anglez gjatë afatit kalimtar.

Pavarësisht spekulimeve të shumta, Rashford ka dhënë sinjale të qarta se dëshiron të vazhdojë aventurën e tij te Barcelona.

Pas ndeshjes së fundit të sezonit të katalanasve të dielën, ai publikoi në Instagram mesazhin “Hungry for more”, duke lënë të kuptohet se synon të jetë pjesë e skuadrës edhe sezonin e ardhshëm.

Një rol të rëndësishëm në këtë çështje po luan trajneri Hansi Flick, i cili konsiderohet si një nga mbështetësit më të mëdhenj të Rashfordit brenda klubit.

Edhe pse tekniku gjerman në disa raste ka kërkuar më shumë nga anglezi, ai ka vlerësuar shpesh paraqitjet dhe kontributin e tij në skuadër.

Sipas raportimeve të fundit nga mediat spanjolle, Flick ka zhvilluar së fundmi një takim me Rashfordin, ku i ka bërë të qartë se e sheh si pjesë të rëndësishme të projektit të Barcelonës për sezonin e ardhshëm.

Ky komunikim thuhet se e ka qetësuar sulmuesin anglez, i cili tashmë ndihet optimist për vazhdimin e karrierës së tij në “Camp Nou”.

Edhe pse negociatat mes Barcelonës dhe Manchester Unitedit pritet të jenë të komplikuara, klubi katalanas mbetet i vendosur të bëjë përpjekjet maksimale për ta mbajtur Rashfordin në skuadër.

Nga ana tjetër, vetë lojtari nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për të qëndruar te Barcelona, duke e konsideruar klubin katalanas si vendin ideal për të vazhduar karrierën e tij në elitën e futbollit evropian.

Të ngjashme