“Flitej se Muhamet Lika kishte pasur marrëdhënie me nënën e të dyshuarit”- dëshmitari rrëfen çfarë kishte dëgjuar

Prishtinë | 18 Sht 2026 | 13:08 | Nga Ekonomia Online

Dëshmitari i radhës në seancën gjyqësore për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, Kushtrim Ballazhi, ka rrëfyer për informacionet që kishte dëgjuar pas ngjarjes.

Ballazhi ka deklaruar se fillimisht kishte dëgjuar për një të ri, i cili, sipas tij, ishte ndaluar nga policia si i dyshuar për vrasjen.

Ai tha se në atë kohë kishte dëgjuar edhe një pretendim për një marrëdhënie të supozuar mes viktimës dhe nënës së të riut.

“Pas vrasjes, fillimisht kam dëgjuar për një djalë të ri që Policia e kishte ndaluar si të dyshuar për vrasje, kinse Muhamet Lika ka pasur marrëdhënie me nënën e tij. E kemi dëgjuar si llaf nëpër kafiteri”, ka deklaruar Ballazhi.

Ai ka treguar edhe për momentin kur kishte shkuar në lokalin “Aksa”, ku kishte parë policinë dhe ambulancën.

“Pasi kemi shkuar te Elmedin Raka, bashkë me veturën e tij kemi ardhur te lokali ‘Aksa’. Ka qenë afërsisht ora 22:00. Aty ka ardhur edhe Haki Bela. Meqenëse i kemi parë dritat e policisë, e pamë që nuk ishte diçka e zakonshme. Kemi vazhduar me këta shokët se çka ka ndodhur, por nuk kishim ide. I pyetëm njerëzit se çka ka ndodhur, duke kërkuar përgjigje. Disa thoshin rast familjar, dikush thoshte për ndonjë të sëmurë”, ka rrëfyer dëshmitari.

Sipas Ballazhit, në vendngjarje kishte parë pjesëtarë të policisë dhe ekipin e ambulancës.

“Aty prezent ishte policia dhe ambulanca. Më pas, kur zyrtarët e ambulancës e zbritën poshtë, e pamë që ishte një person me uniformë. S’kam parë te Haki Bela kurgjo të pazakontë. Kur e njeh një njeri, në bazë të mimikave e dallon”, ka deklaruar ai./teve1.info/

Të ngjashme