Në dimrin e 2013-s, në cilësinë e kryeministrit, Hashim Thaçi po e përcillte një paradë të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë, së cilës i referohej si “ushtri”. Dy muaj para kësaj, Agim Çeku, atëkohë ministër i FSK-së, e kishte shpallur 2013-n si “Vit i Ushtrisë së Kosovës”.
Më shumë se gjysmë dekade ka ikur prej atëherë. Thaçi e Çeku i kanë ndërruar funksionet. I pari ka avancuar në president, e i dyti është degraduar në zëvendësministër. Por, nuk ka lëvizur statusi i FSK-së, shkruan Koha Ditore.
Shteti që e ka shpallur Pavarësinë në 2008-n ka dështuar në mësymjet e deritashme, fillimisht për ta transformuar FSK-në në Forca të Armatosura (FAK), e më pastaj për ta bërë organizatë ushtarake FSK-në.
Mësymja e fundit – pra ajo e muajit të shkuar kur Qeveria sponsorizoi ndryshimin e tri ligjeve – nuk parasheh krijimin e menjëhershëm të ushtrisë.
Nuk parasheh mbështetje shtesë financiare afatshkurtër për FSK-në, ofron dinamikë graduale të avancimit të misionit e mandatit të kësaj force dhe synon që i gjithë ky transicion të nisë tani dhe të përmbyllet brenda 10 vjetësh. Pra, iniciativa ka synim që tek pas një dekade ta bëjë Kosovën me një forcë mbrojtëse, së cilës i është projektuar mision defansiv.