Frapparti, gjyqtarja që shkroi histori në futboll

Prishtinë | 25 Dhj 2020 | 21:08 | Nga Ekonomia Online

Në fillim të këtij muaji, Stephanie Frappart shkroi historinë e futbollit. Derisa dilte në fushë para duelit mes Juventusit dhe Dynamo Kievit ajo ndihej shumë krenare.

Frapparti u bë gjyqtarja e parë që ndau drejtësinë në një ndeshje në Ligën e Kampionëve. Emri i francezes automatikisht pushtoi ballinat e mediumeve botërore, duke inspiruar vajzat e tjera anembanë botës, por vetë Frapparti nuk e kuptoi këtë. Ajo nuk ka parë thuajse asgjë që kanë shkruar dhe raportuar mediumet pas ndeshjes në Torino për shkak se jeton disi e “izoluar”. Këtë e pranon edhe Frapparti, që thotë se injoron gjithçka pasi i përkushtohet tërësisht punës së saj.

“Nuk kam rrjete sociale. Asnjëherë nuk i lexoj gazetat, nuk shikoj televizionin kur shkruhet dhe raportohet për mua. E kam krijuar zonën time të mbyllur dhe nuk dal prej saj”, insiston Frapparti në një bisedë për BBC-në. “E di që në futboll të gjithë flasin për arbitrat dhe paraqitjet e tyre në ndeshje. Por, unë injoroj gjithçka pasi e preferoj më shumë këtë stil të jetës ku shikoj vetëm punën time dhe nuk më intereson çfarë flasin të tjerët”.

Dueli mes Juventusit dhe Dynamos nuk ishte i pari në të cilin Frapparti shkroi historinë. Ajo ishte femra e parë që ndau drejtësinë në një ndeshje të rëndësishme të garave të UEFA-s, kur Liverpooli dhe Chelsea u përballën në kuadër të Superkupës së Evropës, vitin e shkuar. Frapparti, 37-vjeçare, ishte gjyqtarja kryesore në finalen e Kampionatit Botëror të futbollisteve ndërmjet SHBA-së dhe Holandës (2019). Frapparti deri më tani ka drejtuar edhe një numër të madh të ndeshjeve në Ligue 1 të Francës, që nga viti 2019.

“Ky është profesioni im dhe jam shumë e përkushtuar ndaj tij. Jam krenare që po shkruaj historinë në futbollin e meshkujve, por kjo është detyra ime”, shprehet Frappart.

Frappart, e cila ka filluar të luajë futboll prej moshës dhjetëvjeçare, është përfshirë edhe në garat e tjera të Ligës së Evropës. Në tetor të këtij viti ajo me përgjegjësi të plotë e ndau drejtësinë në duelin mes Leicester Cityt dhe Zorya Luhanskut, derisa shton se do të ishte bonus për të nëse pas dy vjetësh do t’i ofrohet mundësia të referojë në Kampionatin Botëror “Katari 2022”.

“Do të ishte madhështore dhe shpresoj që paraqitjet e mia të merren parasysh dhe të jem e nderuar të përfshihem në ngjarjen më të madhe të futbollit botëror të meshkujve”, shtoi Frappart.

Prania në ndeshjet e profilit të lartë është shumë e rëndësishme për Frappartin, e cila shpreson që t’i motivojë vajzat e reja për të shkuar hapave të saj. Frapparti insiston se kjo do të ishte diçka madhështore.

“E di që jam shembull i vajzave të reja që ndoshta një ditë do të arrijnë më shumë se unë si gjyqtare. Besoj se ato e shikojnë televizorin dhe më njohin mua kur të më shohin në fushën e futbollit duke ndarë drejtësinë. Me kënaqësinë më të madhe do t’i ndihmoj të gjitha ato që duan të bëjnë karrierë si timen”, u shpreh Frapparti. “E di që kam përgjegjësi për këtë, por unë nuk dua t’i detyroj femrat e tjera ta zgjedhin këtë profesion. Do të isha e lumtur nëse ato vendosin vetë dhe e duan futbollin me pasion të madh sikurse unë”.

Sikurse të gjithë gjyqtarët e tjerë, Frapparti është dashur të adaptohet me sistemin e VAR-it. Kjo teknologji që po ndihmon gjyqtarët në fushë për të përmirësuar gabimet, ka shkaktuar debat të madh te tifozët dhe futbollistët që po ankohen rreth vendimeve kontroverse që po jepen pas intervenimit të VAR-it. Megjithatë, Frapparti këtë sistem e përshkruan si një ndihmë të madhe.

“Ne vazhdojmë ta ndajmë drejtësinë si në të shkuarën. Marrim vendimet në fushë, por nëse janë të gabuara, atëherë ato i përmirësojmë nëpërmjet sistemit VAR, që mendoj se është shumë i dobishëm për futbollin”, tha Frapparti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme