Deputeti i Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi, i cili u rrah fizikisht sot në studio televizive me deputetin e Nismës, Milaim Zeka, ka shprehur keqardhje për situatën e krijuar, megjithëse ka thënë se po merr shumë mesazhe përkrahëse.
Postimi i plotë i Krasniqit në Facebook:
Të dashur qytetarë,
Më vjen keq për situatën që u krijua sot.
Dola në debat me Milaim Zekën, duke mos e llogaritur se sa e vështirë është të përmbahesh në debat me një njeri të tillë. Pavarësisht mesazheve mbështetëse, nuk do të dëshiroja që çështjet politike të zgjidhen në këtë mënyrë.
Pushtetit kriminal të Klanit Pronto nuk i ka mbetur përfaqësues tjetër përveç Milaim Zekës. Me ta nuk mund të bisedosh për politikë, ekonomi, etj. E vetmja gjuhë që dijnë është gjuha e shpifjeve dhe fyerjeve të rënda.
Ata, përballë argumenteve dhe fakteve tona, kanë vënë shpifjet dhe gjuhën denigruese që është bërë e padurueshme.
Milaim Zeka, që është mashtrues i mërgatës shqiptare, shok i ngushtë i Xhabir Zharkut që ndjeket nga Republika e Kosovës për krim të organizuar, keqpërdorues i hapësirës publike të Televizionit Publik, seksist dhe fyes i grave dhe vajzave, ofendues i qytetarëve të Kosovës, bashkëpunëtor i kriminelëve të Klanit Pronto, etj… ka degraduar çdo debat politik.
Edhe njëherë, ndjej keqardhje ndaj jush për krejt këtë situatë.