Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë marrë pjesë në konferencën “European Partnership Flight”, të organizuar nga Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara për Evropë (USAFE), me fokus në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimin e kapaciteteve në fushën e aviacionit ushtarak.
Pjesëmarrjen e FSK-së në këtë aktivitet e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili tha se konferenca ka shërbyer si mundësi për shkëmbim të përvojave dhe praktikave më të mira mes vendeve partnere.
“Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës morën pjesë në konferencën ‘European Partnership Flight’, të organizuar nga Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara për Evropë (USAFE), aktivitet ky që synon forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimin e kapaciteteve në fushën e aviacionit ushtarak”, ka shkruar Maqedonci.
Sipas tij, gjatë konferencës janë zhvilluar ligjërata profesionale, diskutime tematike dhe punë në grupe, ku përfaqësuesit e vendeve partnere kanë pasur mundësi të shkëmbejnë njohuri dhe ekspertizë në fushën e operacioneve ajrore.
“Gjatë konferencës u zhvilluan ligjërata profesionale, diskutime tematike dhe punë në grupe, ku përfaqësuesit e vendeve partnere patën mundësi të shkëmbejnë përvoja, praktika më të mira dhe ekspertizë në fushën e operacioneve ajrore dhe zhvillimit të kapaciteteve”, ka deklaruar ministri në detyrë i Mbrojtjes.
Në kuadër të aktivitetit, pjesëmarrësit kanë vizituar edhe Bazën Ajrore të Kuçovës në Shqipëri, ku janë njohur me kapacitetet dhe zhvillimet në këtë infrastrukturë ajrore.
“Pjesëmarrësit realizuan edhe vizitë në Bazën Ajrore të Kuçovës në Republikën e Shqipërisë, duke u njohur nga afër me kapacitetet dhe zhvillimet në këtë infrastrukturë të rëndësishme ajrore, si dhe duke zhvilluar aktivitete për forcimin e partneriteteve dhe bashkëpunimit profesional”, ka shkruar Maqedonci.
Ai ka theksuar se pjesëmarrja e FSK-së në aktivitete të tilla është pjesë e angazhimit për zhvillimin e një force moderne dhe të ndërveprueshme me partnerët ndërkombëtarë.
“Pjesëmarrja e FSK-së në këtë konferencë është dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm për ngritjen e kapaciteteve profesionale, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe thellimin e bashkëpunimit me partnerët strategjikë, në funksion të ndërtimit të një force moderne dhe të aftë për të kontribuar në sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare”, ka shtuar Maqedonci.