Sonte në mesnatë përfundon zyrtarisht fushata zgjedhore e partive politike të cilat do të garojnë në zgjedhjet lokale të së dielës.
Për dallim nga herët e kaluara kur gjatë fushatës bëhej zhurmë e madhe, kishte tensione e fyerje nga partitë, kësaj herë ishte më ndryshe, shkruan Indeksonline.
Analisti politik, Imer Mushkolaj vlerëson se fushata për zgjedhjet e 22 tetorit ishte më e qetë dhe më me pak shpenzime.
Ai ka thënë për Indeksonline se arsye për këtë mund të ketë qenë shterimi i buxhetit të partive për zgjedhjet e qershorit.
“Është një përshtypje se edhe fushata ishte më pak e kushtueshme, krahasuar me të kaluarat, ngase zgjedhjet nacionale i kanë shterur buxhetet e partive politike dhe nuk kanë pasur shumë para që të investojnë në fushatën e zgjedhjeve lokale”, ka thënë Mushkolaj.
Sa i përket premtimeve që kandidatët për kryetar komunash dhe asamblistë bënin në të kaluarën, ai ka thënë se një gjë e tillë nuk u vërejt shumë gjatë kësaj fushate.
“Premtimet ishin shumë më racionale, ngase qytetarët më nuk mund të mashtrohen me premtime megalomane”, ka theksuar Mushkolaj.
Fushatën e zgjedhjeve lokale e ka vlerësuar pozitivisht edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), sipas së cilit kandidatët më shumë promovuan vetën me media e rrjete sociale se sa me posterë.
KMDLNj ka vlerësuar se kësaj radhe barrën kryesore e kishin liderët e subjekteve politike që nuk lanë gurë pa lëvizur për të siguruar vota.
Sipas këtij këshilli, keqpërdorimi i fëmijëve, resurseve institucionale ishin më të pakta se në të kaluarën dhe PZAP ishte efikas në shqiptimin e dënimeve në rast se dëshmohej se ishte bërë shkelje e rregullave të fushatës.
“Kandidatët për kryetarë të komunave dhe asambleistë, investuan më shumë mjete materiale për promovimin e tyre duke përdorur mediet e shkruara, vizuale si dhe rrjetet sociale që nënkupton se janë shpenzuar shumë më shumë mjete financiare se në zgjedhjet e kaluara por se këto shpenzime janë bërë në mënyrë më të sofistikuar mbase për t’i fshehur burimet e financimit të fushatës për subjektet garuese”, ka theksuar KMDLNj.