Lloçi është bërë armiku numër 1 i futbollit të Kosovës. Stina e vjeshtës i ka mbushur me ujë e me lloç fushat e futbollit në vendin tonë, të cilat nuk ofrojnë as minimumin e kushteve për lojë. Futbollistët ankohen se lloçi nuk po u lejon të luajnë futboll si duhet e në anën tjetër po ua rrezikon karrierën, kurse portierët thonë se shpeshherë pësojnë sherri i baltës. Ndërkohë, trajnerët thonë se lloçi po ua rrënon krejt punën, po ndikon në rezultate, po e “plagos” futbollin në cilësi, po i tremb shikuesit dhe po e njollos me të zezë imazhin e futbollit kosovar nëpër botë shkruan sot Gazeta Zëri
Kur janë zhvilluar vetëm nëntë xhirot e para të kampionatit, klubeve të Superligës duket se nuk po u pritet përfundimi sa më i shpejtë i sezonit vjeshtor. Shkak është bërë gjendja e rëndë infrastrukturore, e cila është bërë mjaft sfiduese për klubet, posaçërisht për futbollistët, pasi që stina e vjeshtës është thuajse e papërballueshme për infrastrukturën shumë të dobët që ekziston në vendin tonë.
Xhirot e fundit kampionale po përcillen me reshje të shiut, të cilat kanë shkaktuar baltë të madhe në shumicën e fushave të stadiumeve të Kosovës. Kjo ka bërë që futbollistët të ankohen, duke thënë se po e kanë të pamundur të luajnë në mënyrën më të mirë e në anën tjetër janë të rrezikuar seriozisht për të pësuar lëndime serioze.
Lojtarët thonë se fushat e mbuluara me ujë e me lloç nuk po i lejojnë të bëjnë lojëra të mira për shikues e shpeshherë ndikojnë edhe në rezultatet përfundimtare të ndeshjeve. “Të luash në këto fusha është diçka shumë e zorshme sepse topi nuk qarkullon shpejt dhe loja bëhet shumë e ngadalshme me duele të rrezikshme për lëndime, pra vjen shumë lehtë deri te lëndimi”, thotë njëri prej futbollistëve më të mirë në Superligë, Behar Maliqi.
Mesfushori i Feronikelit thekson se këto fusha po ndikojnë edhe në rezultatet finale të ndeshjeve e të cilat në disa raste mund të mos jenë reale.
“Fushat e tilla sigurisht se ndikojnë edhe në rezultate sepse në shumicën e rasteve ekipi që shënon gol i pari edhe e fiton lojën”, u shpreh Maliqi, i cili mbetet me shpresën që fushat e futbollit në Kosovë të përmirësohen sa më shpejt, sidomos tani pas anëtarësimit të Kosovës në UEFA e FIFA.
Portierët, të “baltosur”
Përpos lojtarëve, fushat e këqija të Kosovës të mbushura me ujë e me lloç po u shkaktojnë probleme të mëdha edhe portierëve.
Gati në të gjitha fushat e futbollit zonat e portierëve janë përlotë baltë, e cila shpeshherë bënë që të mos vërehet ngjyra e veshmbathjes e portierit, e cila merr ngjyrë lloçi.
Portieri i Prishtinës, Alban Muçiqi, thotë se fushat e përbaltura janë të tmerrshme për çdo futbollist. “Normalisht se fushat e rënduara na sjellin vështirësitë e veta.Mirëpo, një kritikë shkon për shumicën e fushave në Kosovë, të cilat sidomos para portës, në zonën e portierëve, janë shumë të rënduara dhe ne si portierë nganjëherë frikësohemi të hyjmë e të luajmë kur e shohim gjendjen para portës me ujë e me lloç”, thotë ai.
“Sigurisht që shpesh ndodh të bëjmë edhe gabime pa dëshirën tonë, gabime joreale, por të ndikuara nga gjendja e fushës”, u shpreh Muçiqi.
Sejdiu: Lloçi kundër futbollit!
Trajneri i njohur dhe i suksesshëm, Gani Sejdiu, thotë se gjendja aktuale e fushave të futbollit në Kosovë është e mjerueshme dhe alarmante.
Sipas tij, këto fusha janë duke i shkaktuar dëme shumë të mëdha futbollit kosovar në shumë aspekt, ndonëse kjo po kalohet në heshtje. “Gjendja e fushave është shumë shqetësuese. Unë e kam marrë si shumë shqetësuese dhe kështu duhet ta marrin të gjithë. Këto fusha ta pamundësojnë ngritjen e cilësisë, pra të tregosh cilësi, ta shfaqësh taktikën, ta bësh lojën, ta pamundësojnë të ndërtosh diçka në lojë që e ke planifikuar”, tha Sejdiu për “Zërin”.
Sipas tij, këto fusha po ndikojnë në rezultate, në cilësi e deri në dëmtim të imazhit të futbollit.
“Këto fusha nuk janë të njëjta për të gjithë siç thotë dikush, sepse ka ekipe që mbrohen dhe ekipe që mundohen të fitojnë trofe duke ndërtuar diçka gjatë ndeshjes. Këto u shkojnë përshtati atyre që mbrohen, që prishin lojë, por ekipeve që mundohen të ndërtojnë diçka të mirë, kryesisht ekipeve kandidate për trofe, u shkaktojnë dëme të mëdha”, tha trajneri i Besës.
“Vetëm mua me ekipin tim dy herë na kanë penalizuar fushat, ajo në Merdarë me Llapin dhe me Hajvalinë. Pastaj, këto fusha ndikojnë në largim të tifozëve sepse ata s’kanë çka të këqyrin, ndikojnë në imazh të futbollit e mbi të gjitha në cilësi”, përfundoi Sejdiu, duke bërë thirrje për ndërmarrje të masave karshi këtij fenomeni.