Futbollisti që nuk ka humbur asnjë ndeshje vazhdon kontratën me St. Gallenin

Prishtinë | 28 Maj 2020 | 19:01 | Nga Ekonomia Online

Mesfushori Betim Fazliji ka vazhduar kontratën me skuadrën zvicerane, St. Gallen. Këtë e ka bërë të ditur klubi zviceran në faqen zyrtare. Fazliji ka firmosur deri në vitin 2023, me opsion për të vazhduar kontratën edhe për një vit.

21-vjeçari është bërë garancë për sukses të skuadrës së drejtuar nga Peter Zeidler. St. Galleni nuk e ka humbur asnjë prej 14 ndeshjeve kampionale në të cilat ka luajtur Fazliji. Për të këto janë ndeshjet e para në Superligën e Zvicrës. Ai ka realizuar dy gola gjatë serisë impresive.

“Kemi qenë në gjendjen të mbajmë Betimin, një lojtar tjetër i rëndësishëm nga akademia jonë. Është e rëndësishme të garantojmë të ardhmen, sidomos në këtë periudhë të vështirë”, ka thënë presidenti i St. Gallenit, Matthias Hueppi.

“Betimi në mënyrë impresive ka shfaqur potencialin e tij këtë edicion dhe plotësisht ka arsyetuar besimin që kemi pasur në të. Ai është ende në fillim të zhvillimit dhe performancat e tij kanë ngjallur interesimin e klubeve tjera. Me mbajtjen e ti kemi dëshmuar se jemi në rrugën e duhur’, ka thënë drejtori sportiv, Alain Sutter.

Të ngjashme