464,600 euro janë ndarë nga buxheti i Kosovës për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.
Pa bërë të ditur se për cilën palë të mbrojtjes janë ndarë këto mjete, Ministria e Drejtësisë ka thënë se ka aprovuar katër kërkesa nga avokatët mbrojtës të të akuzuarve nga Specialja dhe se për katër të njëjtit në total është shuma që arrin në gati gjysmë milion euro.
“Pas verifikimit të tyre nga Njësia përkatëse në Ministrinë e Drejtësisë, Komisioni i ka shqyrtuar dhe pas konstatimit se kërkesat i plotësojnë kriteret përkatëse, ka aprovuar 4 kërkesa të parashtruara nga avokatët mbrojtës të akuzuarve nga Dhomat e Specializuara. Shuma e mjeteve financiare të ekzekutuara për 4 kërkesat e parashtruara nga avokatët mbrojtës është 464,600.00 euro”, thuhet në përgjigjen e MD-së për Kohën.
Nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë konfirmuar aktakuzat kundër ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafës, ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit, ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit, dhe ish-anëtarit të UÇK-së e deputet i VV-së, Rexhep Selimi. Këta akuzohen për krime të pretenduara lufte dhe krime të supozuara kundër njerëzimit. Ndërsa, ndaj udhëheqësve të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, është ngritur aktakuzë për pengim të drejtësisë. Ata po mbahen në paraburgim në Hagë.