Lëvizja Vetëvendosje ka prezantuar një aderim të ri. Ai është Gegë Lleshi. Njoftimi është bërë në faqen e kësaj partie në Facebook.
Postimi i plotë:
Gegë Lleshi studimet universitare i ka përfunduar në Fakultetin e Kulturës Fizike në Universitetin e Prishtinës për të diplomuar më pas si Inspektor i Rendit në Akademinë e Mbrojtjes “Hamëz Jashari”. Nga aty, ai vazhdoi edhe studimet post-universitare për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci në Tiranë. Gjatë viteve të 80’ta Gega ka qenë i dënuar politik nga regjimi jugosllav, por kjo nuk e ndali atë që në vitet e 90’ta edhe si aktivist e vullnetar, por edhe si kryetar i Unionit të Studentëve në Fakultetin e Kulturës Fizike në Prishtinë të angazhohet si për pajtimin e gjaqeve në rrethin e Gjakovës, ashtu edhe në organizimin e protestave studentore. Pas luftës, Gega ka punuar si Shef i Zyrës së Administratës në zonën e dytë të TMK-së në Prizren. Pastaj si Shef i Inspektorëve të rendit në zonën e dytë dhe të tretë të TMK-së në Pejë. Nga viti 2005 ai ushtroi detyrën e Koordinatorit të Zyrës së Sigurisë në zyrën e Kryeministrit, ndërkaq prej vitit 2019 punon në Drejtorinë e Marketingut në AKP.
Me një dije dhe përvojë në çështje që lidhen me sigurinë shtetërore dhe funksionalizimin e institucioneve, Gegë Lleshi është vlerë e shtuar e listës tonë fituese për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Bashkë me anëtarët tanë që janë pjesë e listës tonë zgjedhore, Mimoza Shalën, Agon Batushën dhe Gani Krasniqin, Gegë Lleshin sot e priti në zyre Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kryeministri i ardhshëm, Albin Kurti.